Pamjet kur policia zbulon depon me granata e kallashnikov në Taslixhe të Prishtinës

Policia e Kosovës ka arritur të konfiskojë një revole, një ‘AK47’, municione dhe gjashtë bomba.

Përmes një operacioni të policisë i zhvilluar me 24 janar të këtij viti, në një objekt është gjetur një arsenal ushtarak.

 

 

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë” rubrikën “Policia”, majori Isak Ejupi ka thënë se pas identifikimit të një lokacioni në të cilin dyshohej se kishte municion, njësitet përkatëse kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

“Kemi konfiskuar një AK47 dhe një revole, ndërkohë që dyshojmë se ka edhe mjete të tjera shpërthyese për çka edhe jemi në vendin e ngjarjes dhe jemi në pritje të njësive të tjera për të realizuar operacionin deri në fund.”, ka deklaruar ai.

Pas bastisjes së objektit, policia ka konfiskuar të gjitha armët për të vazhduar me procedurat përkatëse.

“Ne e kemi përfunduar operacionin, mjetet e dyshimta janë gjetur dhe janë konfiskuar gjashtë bomba dore, një AK47, një revole dhe një sasi e municionit të kalibrave të ndryshëm. Rastin do të vazhdojmë ta hetojmë më tutje dhe ta procedojmë sipas procedurave për në stacion”, sqaron tutje majori.