Pamjet kur biznesi që tallej me mërgimtarin inspektohet nga ATK

Pas raportimit të KALLXO.com se në njërin nga restorantet që gjendet brenda kompleksit të një pishine në rrugën Prishtinë – Lipjan nuk lëshohen kuponë fiskal, inspektorët Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) kanë dalë në teren për të verifikuar situatën.

Mëngjesin e së dielës, zyrtarë të ATK-së me autorizim nga Drejtoria e tyre nisën për tek biznesi ku është raportuar se nuk lëshohen kupon fiskal.

“Sot është ditë e diele, ne kemi marrë një autorizim nga drejtori rajonal për të  punuar edhe ditën e vikendit sepse  kemi një ankesë nga një qytetar i cili deklaron se në një pishinë e cila është në rrugën Lipjan – Shtime nuk kishte lëshuar kupon fiskal restoranti i cili gjendet brenda oborrit të pishinës. Ne sot do të shkojmë dhe do të verifikojmë ankesën e qytetarit nëse është ashtu siç ka deklaruar apo jo”, tha Rrahimi.

Me të arritur në pishinën në fjalë, zyrtarë të ATK-së, gjatë kohës sa ishin prezent vërejnë se katër persona të cilët ndodheshin para tyre hyjnë në pishinë pa pranuar kuponët fiskal.

Pas kësaj shkelje, zyrtarët e ATK-së kërkojnë raportin për kuponët fiskal të cilët janë lëshuar nga biznesi në fjalë.

Pas pranimit të raportit për kuponët fiskal të cilët janë lëshuar, zyrtarët e ATK-së fillojnë numërimin e personave  të cilët ndodheshin brenda pishinës, për të vërtetuar nëse përputhet me numrin e kuponëve fiskal të cilët janë lëshuar.

“Përafërsisht e mora numrin e klientëve sa janë në pishinë, do të thotë se ka fëmijë dhe të rritur, përafërsisht diku 119 vetë”, tregon inspektorja.

Pas numërimit të klientëve, zyrtarët e ATK-së njoftojnë pronarin e pishinës, se pas vërtetimit se në pishinën e tij nuk lëshohen kuponë fiskal, raporti do të përcjellët tek zyra për gjoba dhe ndëshkime.

“Çështjen e ankesës së qytetarëve për mos lëshim të kuponëve fiskal e vërtetuam ne. Në prezencën tonë katër persona kaluan te laura, dhe paratë i ka marrë punëtori dhe kuponët fiskal nuk janë lëshuar, kjo është e dënueshme. Ne raportin do ta detajojmë për çdo të gjetur që kemi parë në subjektin e juaj, të cilin e dërgojmë në zyrën për gjoba dhe ndëshkime tek ne ta”, thotë Inspektori ATK-së.

Në po të njëjtin problem, zyrtarët e ATK-së hasin edhe në restorantin i cili ndodhet brenda pishinës, për të cilin KALLXO.com kishte raportuar ditë më parë.

https://kallxo.com/mergimtari-denoncon-sjelljen-e-vrazhde-te-biznesmenit-kur-i-kerkohet-kuponi-fiskal-video/

KALLXO.com kishte publikuar video ku shihet se si një menaxher restoranti  refuzon të lëshoj kupon fiskal për klientët e tij.

Në ketë video dëgjohet sjellja ‘arrogante’ e menagjerit mërgimtari, i cili kishte shkuar që të kërkonte kuponin fiskal.

Pas raportimit të KALLXO.com, zyrtarët e ATK-së kanë vërtetuar se po i njëjti biznes nuk posedon pajisje elektronike fiskale.

“Ne ishin në subjektin ku qytetari ishte ankuar se nuk kishte pajisje elektronike fiskale. Kjo doli e vërtetë se ky subjekt nuk është i pajisur me arkë fiskale dhe nuk lëshon kuponë fiskal. Raportin ne e detajuam dhe e përshkruam se si është gjendja në subjektin në fjalë ku do t’ua prezantojmë ekipit të zyrës për gjoba dhe ndëshkime ku ata do ta marrin një vendim në bazë të fakteve dhe argumenteve të cilat do tua prezantojmë atyre. Tatimpaguesi deklaron se e kishte bërë pagesën për arkën fiskale, por kompania që duhej të instalonte, nuk e kishte instaluar. Ne e njoftuam tatimpaguesin se të gjitha faktet të cilat janë relevante t`ia prezantoj ekipit të gjobave dhe ndëshkimeve, ku ata do të marrin një vendim të drejtë në bazë të fakteve dhe argumenteve të cilat i kemi”, tha inspektoi i ATK-së.