Nëna dhe fëmija i saj, i cili u kafshua nga qentë endacakë - Foto: KALLXO.com

Pamje të rënda qeni endacak e kafshon në fytyrë 8 vjeçarin

Pak metra larg shtëpisë së tij në Vushtrri, një 8 vjeçar u sulmua nga një qen endacak.

Plot të tillë defilojnë çdo ditë në lagjen ku ai banon. Kjo po u shkakton frikë fëmijëve dhe prindërve.

Sulmi nga qeni, të miturit i shkaktoi lëndime të rënda në fytyrë. Atij i duhet t’i kryejë edhe disa vizita tjera mjekësore.

Nëna e fëmijës, Luljeta Smajli, para kamerës së KALLXO.com ka treguar ngjarjen se si djali i saj është sulmuar nga qeni endacak pak metra larg shtëpisë së tyre.

“Tuj lujt djali u kan dhe i ka leh qeni, është tutë dhe ka fillu me ikë. Djalit iu ka gjuajt përmbi qeni dhe e ka ngrënë në fytyrë. Mandej ka qenë djali i vëllait dhe një djalë i kojshive. Mos të kishin qenë këta, djalin e kish ngrënë qeni, nuk ish gjallë hiç”, tha ajo, duke shtuar se djali i saj për shkak të sulmit i ka 17 penj në fytyrë.

Luljeta, e përlotur tregoi edhe gjendjen aktuale shëndetësore të djalit të saj.

“Djali kështu me gjendje është mirë, por në gjumë kur po është po tmerrohet. Qe dy net rend jam duke e ruajtur, po tutet shumë në gjumë. Ishalla more Zot asnjë nënë nuk e përjeton tmerrin tem”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një përgjigje me e-mail për KALLXO.com, ka thënë se nuk kanë mjete të mjaftueshme për trajtimin e qenve endacakë dhe ka shprehur keqardhje për rastin e të miturit.

“Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës ka marrë përsipër trajtimin e qenve endacakë në tërë Kosovën dhe për këtë qëllim i janë ndarë 1.5 milion euro nga Qeveria e Kosovës. Ne nuk kemi pranuar asnjë raport si Komunë nga AVUK dhe jemi të shqetësuar sepse numri i qenve endacak po rritet e projekti si duket nuk ka pasur efektin e pritur. Sikur këto mjete ti ishin ndarë komunave me siguri Komunat ishin kanë shumë më efikase”, thuhet në përgjigjen e të parit të komunës.

Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur se në vitin 2018 ka trajtuar mbi 150 qen endacakë, ndërsa, sipas tyre, çmimi për një trajtim të një qeni endacak është 33 euro.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës dhe është duke pritur përgjigje nga ky institucion.