Pamjet Ekskluzive: Brenda depos në Lipjan ku kapën 400 kilogramë kokainë

Sonte në emisionin “Kallxo Përnime” po shfaqen pamje  të një prej operacioneve më të mëdha të Policisë së Kosovës në kapjen e lëndëve narkotike.

400 kilogramë drogë të llojit kokainë ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit në mes të muajit maj të këtij viti. Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e barte atë.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë dhe organe të tjera ndërkombëtarë të sigurisë kishin arritur të monitorojnë dhe përcjellin kamionin me 400 kilogramë drogë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj në “Kallxo Përnime” ka thënë se sipas informatave dërgesa është nisur nga Brazili.

Isufaj ka rrëfyer se si kishin marrë informatën fillestare për nisjen e këtij operacioni anti-drogë dhe se gjatë tërë kohës kishin bashkëpunuar  me autoritetet italiane dhe shqiptare ndërsa kryeprokurori ka konfirmuar se pjesë e aksionit ka qenë edhe DEA amerikane.

“Në momentin kur kemi marrë vesh ne kemi bashkëpunuar me shtetin shqiptar dhe atë italian. Fillimisht është marrë një informatë se në një dërgesë të nisur nga Italia që është nisur për Kosovë ka narkotik. Ka ardhur nga Brazili, por informatën e kemi pasur atë saktë  që kur ka ardhë në Itali dhe që nga atje ka qenë gjithçka e monitoruar dhe kontrolluar. Çdo lëvizje ka qenë në dijeni tonën”, ka thënë ai.

Ndërkaq, nga vendi i ngjarjes, Bahri Shala nga Policia e Kosovës ka shpjeguar se si kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës.