Pamje e Dhomës që i Burgosuri Ndërtoi për Vete në Burgun e Prizrenit

Nezir Kryeziu, i cili më 25 tetor të vitit të kaluar qe dënuar me 9 vjet e 10 muaj burg për tejkalim të vetëmbrojtjes dhe vrasje në tentative, ngase akuzohej se vrau një person dhe plagosi një tjetër, është personi i cili ndërtoi një dhomë private brenda institucionit të burgut në Prizren.

Kryeziu, ndërtimin e kësaj dhome banimi të ndarë nga të burgosurit tjerë, e cila gjendet në oborrin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren e bëri në bashkëpunim me zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Nezir Kryeziu akuzohej se në shkurt të vitit 2011 në zyrën e firmës ‘’Malik Impex’’ në Prizren, ka vrarë 22- vjeçarin Burim Shabani, ndërsa ka plagosur edhe babanë e tij Xhavit Shabanin, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria e EULEX-it ngarkonte këtë 52 vjeçar nga Suhareka se qëlloi me shtatë plumba të ndjerin Shabani, njëri prej të cilëve e goditi viktimën në kokë.

Me të njëjtën armë, sipas prokurorisë, Kryeziu gjuajti në drejtim të Xhavit Shabanit, babait  të të vrarit, të cilin e qëlloi me dy plumba: njërin rrëshqitas në kokë, e tjetrin në kraharor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Incidenti dyshohet se ka ndodhur për një borxh material. Në njërën nga seancat e mbajtura të shqyrtimit kryesor, i akuzuari Kryeziu i kishte thënë trupit gjykues se bëhej fjalë për një borxh prej rreth 650 mijë eurosh, të cilin i dëmtuari Xhavit Shabani obligohej t’ia kthente të akuzuarit.

Kallxo.com përcolli këtë gjykim, ku mund ta shihni videon, në të cilën shihet i akuzuari Kryeziu.

Rasti i Kryeziut dhe rasti i një të dënuari tjetër i cili ishte i privilegjuar në këtë qendër korrektuese, të cilit nga 40 kërkesat për vizitë në shtëpi i ishin refuzuar vetëm tri të tilla. Vizitën e fundit ky i burgosur e kishte shfrytëzuar për arratisje nga burgu.

Këto parregullsi në burgun e Prizrenit, bënë që të ndërmerren masa ndaj zyrtarëve të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Emrush Thaçi, drejtor i përgjithshëm Shërbimit Korrektes të Kosovës, deri më tani ka suspenduar shtatë zyrtarë  të Shërbimit Korrektues në Prizren.

Ministria e Drejtësisë, më 27 gusht po ashtu njoftoi se në vazhdën e zhvillimeve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren ka paraqitur dorëheqjen nga pozita e Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Akti i dorëheqjes i është dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Emrush Thaçi.

“Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, sipas komunikatës së lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, aktin e dorëheqjes e ka marrë si hap personal për rrethana personale-shëndetësore, gjithashtu duke marrë për bazë zhvillimet në institucionin me të cilin ka udhëhequr” thuhej në komunikatë.

I kontaktuar nga Kallxo.com, drejtori i kësaj qendre korrektuese Ilir Gutaj, tha se nuk ka të drejtë prononcimi.

Parregullsitë në burgun e Prizrenit më 29 gusht e detyruan ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçin që ta vizitojë këtë qendër të paraburgimit.

Kuçi, premtoi se në bashkëpunim me udhëheqësit e qendrës do  të zgjidhin problemet që ndodhën kohëve të fundit në burgun e Prizrenit, duke siguruar që ato nuk do të përsëriten më.

Për shumë parregullsi në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në vitin 2012 pati hulumtuar dhe raportuar Gazeta Jeta në Kosovë.

Një vit pas raportimi të të Gazetës Jeta në Kosovë se në qendrën e paraburgimit të Prizrenit ishin lejuar substanca narkotike, ushqim dhe kartela telefonike, qeveria njoftoi se drejtori dhe zëvendësdrejtori i këtij institucioni janë ulur në pozita dhe se janë shqiptuar vërejtje dhe qortime për zyrtarë të tjerë.

Drejtori i qendrës së paraburgimit të Prizrenit Miftar Ziba dhe zëvendësi i tij Shaban Kamberaj, atëkohë qenë degraduar në pozitën e udhëheqësit për vizita, përkatësisht udhëheqësit për pranimin dhe lirimin e të burgosurve.