Takimi Veseli-Palmer | Foto: Kuvendi i Kosovës

Palmer: I Pandryshueshëm Qëndrimi i SHBA-së Karshi Kosovës

Drejtori i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Metthew Palmer në takim me Kryeparlamentarin Kadri Veseli tha se qëndrimi i SHBA-ve karshi Kosovës dhe Ballkanit është i pandryshueshëm.

Në këtë takim, sipas komunikatës së Kuvendit u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Veseli dhe Palmer folën edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli tha se ky proces do të bëhet në koordinim të plotë me SHBA-në.

Më 28 janar pasi sekretari amerikan i mbrojtjes James Mattis në një dokument drejtuar Senatit përmendi krijimin e Ushtrisë së Kosovës, Presidenti Thaçi e përshëndeti këtë qëndrim të tij.

http://kallxo.com/thaci-pershendet-qendrimin-amerikan-per-ushtrine/

Kadri Veseli në takim i tha Metthew Palmer-it se Kosova do të kryejë obligimet e saj ndërkombëtare.

“Kreu i Kuvendit ka siguruar Z. Palmer se Kosova do t’i përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare, pjesë e së cilës është edhe ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në komunikatë.

Veseli po ashtu deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është tepër i rëndësishëm për të ardhmen e dy vendeve dhe stabilitetin në Ballkan.

Palmer, sipas komunikatës, tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta përkrahë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se dialogu është mënyra më e mirë për të ecur përpara.