Pal Lekaj para Komisionit Hetimor Parlamentar per rastin e gjashte shtetasve turq - FOTO KALLXO - 21.11.2018
Pal Lekaj merret në pyetje për 'gylenistët' i vetmi deri më tash në prani të mediave
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq është duke e marrë në pyetje Ministrin e Infrastrukturë Pal Lekaj.
KALLXO.com është duke transmetuar direkt mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar: LINK
Për dallim nga ish-drejtori i Policisë, aktualisht shef i AKI-së Shpend Maxhuni dhe ish-drejtorin e AKI-së Diton Gashi dhe gjithë të intervistuarit e deritanishëm, ministri Lekaj është duke u marr në pyetje nga anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar në prani të mediave për ngjarjen e 29 marsit të këtij viti, ku Kosova deportoi gjashtë shtetas turq për në Turqi.
Kryesuesi i Komisionit Hetues, deputeti Xhelal Sveçla, ia parashtroi pyetjen ministri Pal Lekaj se si ka ndodhur ngjarja dhe cili ishte roli i Ministrisë Infrastrukturës në këtë rast?
Ministri Pal Lekaj në përgjigjen e tij tregoi se informatën e kishte marrë nga mediat.
“Me të marrë informatat nga mediat menjëherë jam interesuar se çfarë ka qenë roli i Ministrisë sime në lidhje me këtë rast. Sipas kërkesës së parashtruar qëllimi i fluturimit ka qenë biznesor. Në Ministrinë e Infrastrukturës është kërkuar leja për fluturim. Sipas informatave tona, shihet se aeroplani ka arritur saktë në orën 9 dhe ka flutuar. Ministria është përgjegjësie për lëshimin e lejeve për fluturime. Ministria ka lëshuar leje për fluturim taksi”, tha ministri Lekaj.
Ai deklaroi se të gjitha veprimet sipas tij i kanë ndërmarrë në kuadër të ligjeve përkatëse.
Lekaj tregoi se pas fluturimit, veprimet e Ministrisë së Infrastrukturës kanë mbaruar.
Deputeti Driton Selmanaj kërkoi nga ministri Lekaj nëse ishin kontaktuar nga dikush prej AKI-së.
Në përgjigjen e tij ministri Pal Lekaj tha se: “Asnjë departament, asnjë zyrtar shtetëror nuk më kanë njoftuar ose thirrur. Lejet që lëshojnë janë ditore”, deklaroi ai.
Deputeti Selmanaj pyeti Lekajn se: “A është e natyrshme për ju se një personit t`i ndryshoj agjenda përnjëherë kur ke pas me fluturu me 30 e thoni po fluturoj me 29?
“Është praktikë e cila edhe më herët ka ndodhur në raste tjera”, u përgjigj Lekaj.
Selmanaj më tej kërkoi të dijë se çfarë masash ka marrë Ministria e Infrastrukturës për rastit të ndodhur më 29 mars?
“Në mënyrë zyrtare duhet me konstatu dhe duhet të kemi shënime të sakta nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ne po e dimë që rasti është keqpërdorur, por e dimë se kur të marrim masa duhet me pas dëshmi se ka pasur keqpërdorime”, deklaroi Lekaj.
Deputeti Muharrem Nitaj e pyeti ministrin Lekaj se cilat janë procedurat të cilët ndiqen sot nga Ministria nëse ka një kërkesë për fluturime të tilla?
“Së pari ne kërkojmë certifikatën e operatorit ajror, certifikatën e regjistrimit për secilin aeroplan, certifikatën e vlefshmërisë, polisën e sigurimit, informacione më të detajuara mbi marrëveshjen e fluturimit” tregoi ministri Lekaj, i cili është duke u intervistuar në prani të mediave.
Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi pas kërkesës së Turqisë. LINK