Pal Lekaj: Gjobën ndaj 'Bechtel & Enka'-s do e paguajmë deri në qershor

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, tha së e gjithë gjoba e koncersiumit turk ‘Bechtel-Enka’ do të paguhet deri në qershor.

Lekaj u pyet nga deputetja e LDK-së, Hikmete Bajrami se përse nuk është dënuar ende kompania ‘Bechtel Enka’ për vonesat në punimet e autostradës “Arbën Xhaferri”.

“Nuk është dënu se nuk është përfundu projekti në të, kur të përfundoj i tërë projekti dhe ulemi themi se punët që nuk i ka kry, dhe arsyet dhe barazohemi me gjithë projektin. Ne jem detyru se ai nuk guxon me punu pa kontratë. Me qejf kurrë se kisha pagu por e kemi pasur obligim”, u përgjigj Lekaj.

Ministri në ketë komision raportoi për planet infrastrukturore për vitin 2019.

“Mos-përfundimi i projektit Prishtinë – Hani i Elezit ka qenë për shkak të kushteve atmosferike, dhe do të përfundoj në fund të muajit maj. Buxheti i ndarë për ketë projekt është 51 milionë e 500 mijë euro, 20 milionë euro të hyra nga AKP-ja. Autostrada Morinë – Prishtinë – Merdare, kjo rrugë kalon nga Vermica 128 km dhe siguron qasjen në detin Adriatik dhe detin e Zi, me kosto 210 milionë euro. Kohëzgjatja do të 30% më e ulët se koha ekzistuese”, tha Lekaj.

“Autostrada Prishtinë – Gjilan me kosto 88 milionë euro, buxheti i Kosovës për vitin 2019 ka ndarë 21,762 milionë euro. Është paraparë që të përfundoj në fund të vitit 2020 por për shkak të avancimeve do të përfundoj në qershor të vitit 2020”, raportoi i pari i MIT-së.

Sa i përket zgjerimit të rrugës Prishtinë – Pejë, ministri e pohoi se ka pasur ngecje në punime por që janë duke kryer procedurat që të përfundoj, pasi që sipas tij buxheti është i siguruar.

“Dollc – Gjakovë, do të filloj nesër segmenti i parë dhe i dytë. Jemi munduar të jemi shumë korrekt dhe me buxhet nuk e mohojmë që nuk ka qenë i kënaqshëm. Në projektin Prishtinë – Mitrovicë e kemi filluar segmentin e parë, javën e ardhshme fillojmë me segmentin e dytë. Janë investu 1 milion 300 mijë euro, kemi edhe fonde arabe”, tha ministri.

Ndërkaq, për autostradën e “Dukagjinit”, ai tha se fillon në fund të muajit tetor të këtij viti.

“Të autostrada e Dukagjinit, dikush mund të mendoj që investimi është i tepërt. Unë mendoj se të gjitha rajonet mund të lidhen me atë autostradë, dhe për ketë vit kemi ndarë edhe 1 milion euro, fillon kah fundi i tetorit. Jemi në bisedime me organizata buxhetore dhe kompani që mos ta shfrytëzojmë buxhetin e Kosovës. Debat kemi zhvilluar përpos në Rahovec kemi pasur 3% kundërshtim, por në të gjitha komunat tjera kanë qenë 99% pro autostradës”, tha Lekaj.

Deputetja e LDK-së, Hikmete Bajrami shprehu si shqetësim ndryshimin e madh të kostove mes autostradave pothuajse të njëjta.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, e konsideroi investim të panevojshëm ndërtimin e autostradës Besi – Merdare.

Ai e quajti këtë projekt vetëm në interes të Serbisë.

“Nuk mundem me kuptu pse me i bërë këto investime për me ndërtuar autostradën Besi-Merdare, pse me lidh ne Besin me Merdare kur Serbia nuk e lidh Nishin me Merdare. Kjo është ne interes të Serbisë. Është projekti Besianë – Prishtinë me katër korsi jemi t`u shpenzu, e cila është shumë e leverdishme, e tash me ndërtu një autostradë paralele pse s`po muj me kuptu? E kemi qitë taksën nuk ka kamionë, ata nuk po mujnë me pru mallra dhe është tashme e padobishme”, tha Aliu.

Ministri Lekaj gjithashtu në Komisionin për Zhvillim Ekonomik u pyet nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, lidhur me raportimet së kompania e familjes se zëvëndesministrit Rexhep Kadriu ka furnizuar me beton kompanitë punëkryese në autostradën Prishtinë- Gjilan.

Pyetja e deputetes u bë disa javë pasi emisioni “Drejtësia në Kosovë” publikoi një hulumtim në të cilin faktohet se kompania e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu, po i furnizon me beton kompanitë në ndërtimin e autostradës Prishtinë- Gjilan.

 

https://kallxo.com/pal-lekaj-pyetet-ne-kuvend-per-kompanine-e-zevendesit-te-tij-qe-po-e-betonon-autostraden-e-gjilanit/

.