Pal Lekaj: 'Bechtel Enka'-s ia kemi paguar 25 milionë euro, 28 milionët e tjerë i paguajmë me pjesë

Qeveria Haradinaj i ka paguar 25 milionë euro të borxhit ndaj kompanisë “Bechtel&Enka” nga 53 milionë euro shtesë për autostradën ‘Arbën Xhaferi’.

Kjo gjobë kishte ardhur si rezultat i zvarritjes së pagesave nga ana e Qeverisë, duke përfshirë këtu edhe 608 milionë euro nga kontrata fillestare.

Informacionin për pagesën e 25 milionëve e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj.

Ai tha se pjesa e mbetur prej 28 milionësh do të paguhet me pjesë.

“Deri më tani janë paguar rreth 25 milionë euro dhe shuma e mbetur do të vazhdojë të paguhet me pjesë”, u përgjigj Lekaj.

Zvarritja e pagesave ka bërë që edhe punimet të zvarriten për 1 vjet në këtë autostradë që lidh Prishtinën me Shkupin, e cila në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 31 dhjetor 2018.

Lekaj ka thënë se punimet kanë rifilluar dhe se po zhvillohen varësisht prej kushteve atmosferike, por i njëjti nuk dha ndonjë afat se kur parashihen të përfundojë i gjithë projekti.

“Aktualisht është duke u punuar për aq sa lejojnë kushtet atmosferike, por me ngritjen e temperaturave fillon edhe vrulli i punëve drejt përfundimit të autostradës “Arbën Xhaferi”, tha i pari i MIT-së për KALLXO.com.

Në anën tjetër, më 5 qershor të këtij viti, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se kompania në fjalë ka kërkuar 63 milionë euro për shkak se ishte zgjatur afati i përfundimit të punëve, por që pas diskutimeve kishin arritur ta ulin këtë shifër për 10 milionë euro, në 53 milionë.

KALLXO.com në qershor të vitit të kaluar kishte raportuar ekskluzivisht për arsyet se pse kishte ardhur gjoba prej 53 milionëve dhe transaksionet që do të paguheshin.

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)

Kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit është nënshkruar më 1 korrik 2014 me vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent (599,944,263.55 euro), mirëpo pas 1 shtatorit të 2015 ky çmim ishte rritur për mbi 8 milionë euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%.