Ilustrim

Pakoja me tritol rikthen frikën nga atentatet në Vlorë

Një shofer zbuloi rastësisht një pako me eksploziv në mes të një prej rrugëve kryesore të Vlorës në lagjen “10 Korriku”. Shoferi që pa pakon në rrugë njoftoi policinë, të cilës iu deshën katër orë për të çaktivizuar bombën me telekomandim. Ndërkohë makina që kishte pakon nuk është identifikuar ende.

Gjetja e pakos me eksploziv ka shtuar panik në qytetin bregdetar, i cili është prej kohësh vendngjarje e një sërë atentatesh të pazbardhura që përfshijnë kryesisht djegie të makinave dhe vendosje eksplozivi

Policia ende nuk ka dalë me një përfundim, por dyshimet janë se pakoja bombë mund të ketë qenë e vendosur në ndonjë mjet dhe ka rënë gjatë lëvizjes para se të aktivizohej. Për të zbuluar objektivin që i shpëtoi fatmirësisht atentatit, policia bëri me dije se ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së shumë bizneseve.

Dëshmitarë okularë  treguan se pakoja kishte rënë prej një makine të kuqe. Ajo u gjet rreth orës 19:00, ndërsa u çaktivizua nga xhenierë të ardhur nga Tirana të cilët bënë shpërthim të komanduar të saj në mesnatë.

Tritoli me detonator i lidhur me tel ishte i mbështjellë me letër natriban. Pas njoftimit policia krijoi një perimetër sigurie dhe bllokoi rrugën në lagjen “10 Korriku”, e cila dublon Lungomaren dhe për pasojë ka qarkullim të lartë.

Por për shkak se pika ku u gjet ekspozivi është e pambuluar me kamera, hetuesit mësohet se po punojnë me ndërthurjen e pamjeve të kamerave të tjera me orarin dhe makinat që kanë lëvizur aty. Deri tani nuk ka të dhëna për makinën që ka pasur të vendosur eksplozivin.

Që nga zbulimi deri në çaktivizimin e bombës me celular kaluan mbi katër orë, duke rikthyer në Vlorë frikën e atentateve me tritol që vitet e fundit kanë tronditur qytetin bregdetar duke mbjellë panik e duke lënë pas edhe të lënduar. Shumica e atentateve në qytetin e Vlorës që përfshijnë djegie makinash dhe vendosje tritoli mbeten të pazbardhura. (reporter.al)