Vizita në Minierën e "Trepçës"

Pakënaqësi në Komision Rreth Ligjit për ‘Trepçën’

Ligji për “Trepçën” shkaktoi debat mes deputetëve-anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Duke e konsideruar shumë të rëndësishëm këtë ligj, anëtari i komisionit prej PDK-së Besim Beqaj, tha se nuk ndihet komod për ta votuar atë.

“Me thanë të drejtën unë kam qenë i befasuar edhe prej deklaratës së Kryeministrit, sepse procedurat të cilat i kemi diskutuar javën e kaluar nuk janë në favor me atë që është vendosur dhe si deputet nuk ndihem komod me gjërat të cilat i kemi ditur që një vit të na vijnë kështu, e tash të ngutemi për një punë të cilën e kemi të një rëndësie të veçantë,” tha Beqaj.

Kryesia e Kuvendit dje vendosi ta ketë në rend dite për seancën e së premtes Projektligjin për “Trepçën”, edhe pse atë ende nuk e ka miratuar Qeveria e Kosovës.

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik u tha se ky projektligj pritet të miratohet sot ose nesër nga Qeveria e Kosovës.

Rrustem Berisha, anëtari i AAK-së në komision, theksoi se Projektigji për “Trepçën” nuk mund të sillet në votim të premten, pa u analizuar drafti i ligjit dhe pa u marrë edhe qëndrimet e opozitës.

“Unë deshta me ngrit një çështje që për mua është e papranueshme: si mund të diskutohet në kryesi kjo çështje pa asnjë draft përpara, të premten të vie Ligji i ‘Trepçës’ e këtë draft të mos e kenë as anëtarët e kryesisë. Mendoj se si komision ligji është dasht të vie këtu para se të vendosë kryesia kur do ta ketë në rend dite, sepse është një çështje shum e ndjeshme dhe nuk mundemi me e shty veç sa për sy e faqe pa u marrë edhe mendimet dhe qëndrimet e opozitës,” tha Berisha.

Enver Hoti nga Nisma tha se çështja e Projekligjit për “Trepçën” ka filluar mbrapsht.

“Projektligji për Trepçën po shihet se ka fillu mrapsht, inicimi që është bërë dje, ose vendimi, ose propozimi që ka dalë nga Kryesia e Kuvendit është kryesisht mbrapsht dhe sinqerisht shqetësimi im është se këtu ka diçka përtej kësaj, në fund do t’i del bishti. Jemi mësu që kjo qeveri me i shkarravit të gjitha punët dhe në fund me ardh me ni situatë që mos me mujtë me e gjetë fajtorin brenda,” tha Hoti .

Pavarësisht vërejtjeve për procedurat e vonuara për Ligjin e “Trepçës” dhe cilësimit të ngutshëm të vendimit të Kryesisë së Kuvendit që ky ligj të shkojë në Kuvend  për votim të premten për shkak afateve kohore, anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik u zotuan se do të punojnë për t’i evituar mangësitë që i ka ky ligj para se të miratohet dhe të hyjë në fuqi.

Gazeta Jeta në Kosovë më 7 shtator botoi një hulumtim në të cilin e bëri të ditur për opinionin se “Trepça” rrezikon t’i nënshtrohet procesit të falimentimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nëse Ligji për këtë ndërmarrje nuk botohet në Gazetën Zyrtare deri më 1 nëntor.

Hulumtimi tregoi se për t’u kthyer “Trepça” nga një ish-ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike, për t’iu ndryshuar statusi kësaj ndërmarrjeje, para se të miratohet ligji i ri, duhet të bëhet një studim fizibiliteti.

Shteti Rrezikon Trepçën

Pak më shumë se dy javë pas publikimit të këtij hulumtimi, Agjencia Kosovare e Privatizimit nënshkroi kontratë me konzorciumin e kompanive “HPC” dhe “Ernst & Young” për studimin e fizibilitetit të “Trepçës”.

http://kallxo.com/nenshkruhet-kontrate-per-studimin-e-fizibilitetit-te-trepces/