Pak më të Lira Çmimet në Prill

Edhe shkalla e inflacionit ishte për 0.1 për qind më e ulët se në mars.

Agjencia e Statistikave tregoi cilat produkte u liruan, e cilat u shtrenjtuan.

“[Kishte] rënie të çmimeve të konsumit te nëngrupet: perimet (-3,0%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (-16,7%)-(Aplikimi i tarifave verore të energjisë elektrike nga 1 prill – 30 shtator 2016) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -1,1 për qind në IHÇK. Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve të konsumit te nëngrupi i përdorimit të pajisjeve për transportin personal (1,1%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim prej 0,1 për qind në IHÇK,” shpjegoi ASK-ja.

IHÇK është shkurtesa për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit.

Publikimi i ASK-së tregon se çmimet në prillin e 2016-ës në krahasim me ato të prillit të vitit të kaluar ishin për 0.1 për qind më të ulëta.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej -0,1 për qind në muajin prill 2016 krahasuar me muajin prill 2015,” thuhet në publikim.

Në këtë rënie të lehtë Agjencia e Statistikave bëri të ditur se ndikoi përshkallëzimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh).

“Furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (-6,7%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (-5,2%)- (përshkallëzimi i TVSH-ës me 8,0% nga muaji shtator i vitit 2015 te buka dhe drithërat, qumështi, djathi dhe vezët, ujë dhe rryma ka ndikuar në rënie të IHÇK-së në një masë prej 0,7 për qind),” vijon publikimi.

Rënie çmimesh në prillin e këtij viti në raport me prillin e vitit të kaluar pati  edhe te “buka dhe drithërat (-2,0%), qumështi, djathi dhe vezët (-1,1%), perimet (-11,8%), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-8,8%)-(rënie e çmimit të naftës dhe benzinës)”.

Pati edhe produkte çmimet e të cilave u ngritën në muajin prill 2016, në raport me këtë muaj të vitit të kaluar.

“Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve të konsumit te nëngrupet: mishi (1,8%), vajrat dhe yndyrat (6,7%), sheqeri dhe ëmbëlsirat (9,1%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (1,7%), pijet alkoolike (14,6%), duhani (10,8%), veshje (2,9%), prodhimet dhe pajisjet mjekësore (3,4%), blerja e automjeteve (1,4%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,7 për qind në IHÇK,” tregon publikimi.