Foto: Ilustrim

Pak Gra Kërkojnë Trashëgiminë Pronësore me Gjyq

Në Kosovë është i njohur fakti se femrat në numër të vogël kërkojnë në gjykatë realizimin e të drejtës së tyre për trashëgimi pronësore. Këtë fakt e vërteton edhe regjistri kadastral në vend, sipas të cilit vetëm 16% e pronës është e regjistruar në emër të grave.

Nga hulumtimi i bërë nga BIRN në periudhën janar 2015 – maj 2016,, gjykatat e Kosovës kanë pranuar vetëm 15 raste në të cilat janë të përfshira femrat në trashëgimi, përjashtuar këtu Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe atë të Mitrovicës, nga të cilat nuk kemi marrë përgjigje për numrin e saktë të këtyre rasteve.

“Lidhur me kërkesën tuaj që ju keni parashtruar ju njoftojmë se ekziston një numër i padive trashëgimore por që është e pamundur që ato t’i veçojmë në pikëpamje gjinore”, tha zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Ndryshe nga Prishtina, pesë Gjykatat e tjera Themelore në vend, e kanë bërë këtë ndarje dhe numri i rasteve të trashëgimisë pronësore të femrave në këto Gjykata është si më poshtë: Prizren 6, Ferizaj 6, Pejë 1, Gjilan 1 dhe Gjakovë 1.

Gjykatësja e çështjeve të trashëgimisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Drita Rexhaj, tha për KALLXO.com se numri i vogël i rasteve të trashëgimisë në gjykata është për faktin se tani qytetarët për trashëgimi po u drejtohen noterëve.

http://kallxo.com/dilema-se-kush-duhet-te-zgjidhe-trashegimine/

Ndërsa gjykatësi i lëndëve të trashëgimisë në Prizren, Xhemil Elshani, deklaroi se rastet e trashëgimisë tani janë shumë të vogla në Gjykatë, prej kohës kur kjo mundësi i është dhënë noterëve. Ai, mendon se palët edhe më tutje duhet t’u drejtohen gjykatave për të zgjidhur rastet e trashëgimisë.

“Unë mendoj që palët duhet t’u drejtohen noterëve. Mirëpo nuk është keq që kjo kompetencë është edhe në kompetencë të gjykatave themelore dhe mirë është që kjo kompetencë është e dyanshme që palët varësisht nga koha apo mundësitë t’i zgjidhin sa më shpejt kërkesat e tyre”, tha ai.

Ligji për Noterinë e Kosovës Nr. 03/L- 010 i hyrë në fuqi në tetor të vitit 2008 në nenin 29 i njeh noterëve trajtimin e të gjitha procedurave jokontestimore trashëgimore. Në këtë drejtim shumica e lëndëve të trashëgimisë u drejtohen noterëve.

Në një intervistë të dhënë për KALLXO.com noterja Suna Sallahi thotë se ka raste të shumta të trashëgimisë. Në rastet kur ka marrëveshje të plotë, kur të gjitha palët vijnë tek noteri dhe heqin dorë nga e drejta e ankesës, atëherë ajo lëndë përfundohet te noteri.

Mirëpo, në rastet kur mungon njëra palë, Sallahi thotë se në raste të tilla palën e këshillon që kërkesën-propozimin t’ia drejtojë gjykatës.

Mirëpo, sikurse në gjykatë duket që tradita e mosmarrjes së trashëgimisë së femrave dhe heqja dorë e tyre nga trashëgimia ligjore po vazhdon edhe në procedurat para noterëve.

Noterja Sallahi thotë se edhe përkundër këshillimit të grave për heqjen dorë nga e drejta e trashëgimisë dhe për ndërlikimet e heqjes dorë nga e drejta e tyre për trashëgimi, ato sërish zgjedhin të mos e marrin pasurinë që u takon me ligj.

“Kemi pas raste të shpeshta kur gratë heqin dorë nga e drejta e tyre në trashëgimi. Dallimi qëndron në femrat nga fshati dhe qyteti. Janë shumë të rralla rastet kur femrat e fshatit marrin pasurinë, ndërsa tani kemi shumë raste kur femrat heqin dorë nga e drejta në trashëgimi si ato të fshatit ashtu edhe ato të qytetit”, tha Sallahi.

http://kallxo.com/e-drejta-zakonore-po-i-le-grate-pa-prona/