Pajtim dhe Mospajtim me ‘Rrobat e Reja’ të ‘Newborn’-it

“Newborn”-i sivjet ka marrë pamjen e një qielli të kaltër me re e me tela me gjemba, ndërsa sipas Fisnik ismailit, ideatorit dhe ndërtuesit të tij, obelisku i pavarësisë do të ketë pamje të realitetit kosovar.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth ngjyrosjes së sivjetme të “Newborn-it”.

Gojart Munishi qytetar i Prishtinës i cili po shikonte ngjyrosjen e obeliskut mendon që ndryshimet që po i bëhen kësaj skulpture janë pozitive për vendin.

“’Newborn’-i ka një simbolikë shumë të veçantë për shtetin e Kosovës, ndryshimet që ndodhin herë pas here normalisht që e freskojnë edhe pamjen këtu tek kjo pjesa e qytetit, por edhe është pjesë që bëhet në mënyrë që më përçu çdo vit mesazh të ndryshëm,” tha ai.

Ndërsa qytetari tjetër Agron Gashi mendon se pamja e “Newborn”-it nuk është dashur të ndryshohet, sepse me atë pamje është identifikuar Kosova.

“Është dashur që ata nënshkrues që e kanë nënshkruar të mbeten dhe të jetë një pjesë e një trashëgimie të Kosovës dhe të ruhet nga institucionet, mirëpo ndoshta një vullnet jo sa duhet nga institucionet për ta ruajtur dhe për ta mirëmbajtur, normal që qytetarët marrin iniciativa për ta ndryshuar ngjyrën apo në pikëpamje tjera,” tha Gashi.

Në ditën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 “Newborn-i” ishte menduar si një hapësirë ku nënshkrimin e tyre për këtë shpallje do ta vinin secili nga kosovarët. Aty qenë nënshkruar edhe ish-Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu.

Qytetari Jeton Halimi thotë se përveç ngjyrosjes, “Newborn”-i duhet edhe të mirëmbahet.

“Mendoj që ja vlen më e pasë (Newbornin), mirëpo me e pas një mirëmbajtje më të mirë, sepse nëse nuk mbahet mirë, shija është e keqe edhe për qytetarin edhe për njerëzimin. Tani pasi që është edhe festa e pavarësisë së Kosovës është një mesazh i mirë i paqes, kulturës, respektit,” tha ai.

Duke qenë simboli i pavarësisë skulptura ka tërhequr shpeshherë vëmendjen e mediave të huaja.

Reklama më e mirë këtij objekti i është bërë nga këngëtarja shqiptare, Rita Ora e cila në klipin e këngës së saj “Shine Ya Light” u paraqit duke kënduar mbi “Newborn”.

Reklama Më e Madhe për Prishtinën

Vitin e kaluar “Newborn”-i ishte “veshur” me rroba ushtarake në shenjë respekti për 15 vjetorin e çlirimit nga NATO-ja dhe UÇK-ja.

Ky simbol ishte shfaqur edhe në reklamën 1 milionëshe në CNN ku për 24 orë këmba e shkronjës “B” ishte ngjyrosur me të zezë, nga persona të panjohur, duke bërë që fjala “Newborn” (i porsalindur) të duket si “Newporn”.

CNN Heq “Newporn”-in nga Reklama