Pajaziti: Askush nuk do ta Lë në Rrugë RTK-në

Në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media u shqyrtua  Raporti Vjetor i Radio-Televizionit të Kosovës për Vitin 2015.

Para se të shqyrtohej ky raport, kryetari dhe anëtarët e komisionit reaguan ndaj letrës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit që i kërkoi RTK-së lirimin e objekteve brenda pesë ditësh.

“Dëshiroj që të them po ashtu në kompetencën e deputetit që askush nuk do ta lë në rrugë Televizionin Publik të Kosovës asnjëherë,” tha kryetari i Komisionit për Media Zenun Pajaziti.

Në mbledhje Pajaziti këshilloi përfaqësuesit e RTK-së se si të veprojnë.

“Kisha këku që ju t’i angazhoni zyrtarët e juaj ligjorë deri në një vendim tjetër që mund ta marrë Kuvendi për pronën e  Televizionit Publik të Kosovës. Komunikoni në mënyrë normale, institucionale, ligjore me institucionin i cili ka shprehur një vullnet që ju të komunikoni me ta sipas letrës që ne e kemi lexu sot,” tha Pajaziti.

Edhe anëtarja e komisionit Xhevahire Izmaku tha se është çuditur nga letra e AKP-së.

“Këto dy ditë jemi përballur me një informacion që edhe për neve ke pak i shpejtë dhe befasues- çështja e urdhëresës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Nuk mundem me përjashtu faktin që unë si deputete e Kuvendit të Kosovës jam pak e befasuar me mënyrën që qysh iu ka qasur  Agjencia e Privatizimit, për arsye se ka qenë një performancë pak e ngutshme,” tha ajo.

Anëtari i komisionit Sadri Ferati, nuk deshi të flasë për çështjen e pronës dhe letrës së AKP-së, por u përqendrua te raporti i dërguar në komision nga ky televizion.

“Raporti është i përgjithësuar. Cila ka qenë sfida dhe ku janë pengesat në raport nuk i pashë. Të gjithë ne dëshirojmë me pa cili është vizioni i RTK-së dhe ku është ndalë RTK-ja. Ça ka bo brenda viti 2015,” tha Ferati.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së Mentor Shala ia pa për të madhe Feratit që nuk foli për problemet e RTK-së me Agjencinë e Privatizimit.

“Unë mendoj që bash në ato çështje është dashtë m’u lëshu. Është edhe punë e Kuvendit të Republikës së Kosovës e përcaktuar me  ligjin e RTK-së që është miratu nga deputetët e që janë  anëtarë të partive politike. Mendoj që këto janë çështjet kryesore me të cilat ballafaqohet RTK-ja

Ferati më tutje tha që komisioni është i pafuqishëm për të gjetur zgjidhje për financimin e RTK-së.

“Në këtë  vend do të duhej një fuqi më e madhe që sillet tek Kryeministri, kryeparlamentari për me gjet  format e parapagimit. Ndihmoni vetvetes, institucionit edhe neve që  me një punë të përkushtuar dhe qartësi të  tejkalimit të sfidave që le të dinë njerëzit pse po  angazhohem bashkërisht me juve,” tha Ferati.

Shala tha se nuk ka vullnet politik për t’u gjetur zgjidhja rreth financimit.

“Unë mendoj që duhet të ketë vullnet politik që të zgjidhet çështja e financimit dhe pronës së RTK-së. Ne jemi të pafuqishëm në këtë pikë si transmetues publik. Nuk po shoh që ka vullnet qind për qind politik,” theksoi Shala.

Fjala në komision iu dha edhe anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Naim Gashi, anëtar i bordit, tha se raporti që u shqyrtua në komision nuk është miratuar në bord, duke kërkuar që të mos votohej.

“Unë në raport i kam dhënë arsyet e mia se pse nuk duhet me u miratu ky raport, pasi kam pa një shpërputhje mes raportit që neve na dërgon Auditori i Brendshëm, Menaxhmenti dhe Auditori i Jashtëm,” tha Gashi.

Ndërsa Shala u kunërpërgjigj se 90 për qind të fjalëve që anëtari i bordit i tha në komision janë të pavërteta.