Nga një mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike | Foto: KALLXO.com

Pagat si (Pa)Varësi e Funksionimit të Auditorëve të Brendshëm

Pagat e auditorëve të brendshëm dominuan diskutimet rreth Projektligjit për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Vahide Grajçevci, auditore e brendshme në Kuvendin e Kosovës, tha se ky projektligj duhet ta precizojë çështjen e pagave.

“Jam e detyrume të them të rregullohet çështja e pagave të auditorëve të brendshëm që të mos mbetet një nen në fuqi i ligjit që do të shfuqizohet, mirëpo në një nen të këtij ligji të precizohet saktë çështja e pagave me një nen, të mos mbetet të rregullohet me ndonjë rregullore tjetër, “ tha ajo.

Mentor Hyseni nga GIZ-i propozoi që çështja e pagave të auditorëve të rregullohet sipas modelit të Auditorit të Përgjithshëm, ose me udhëzim administrativ të brendshëm.

“Kishte qenë mirë me u marrë një analogji me Auditorin e Përgjithshëm, kryesisht stafi I auditorëve të brendshëm që paguhen atje edhe me u rregullu përmes këtij ligji, ose me një udhëzim të brendshëm administrativ, por që duhet të merret një analogji me Auditorin e Përgjithshëm,” tha Hyseni.

Labinot Leka, auditor i brendshëm nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) tha se pavarësia e auditorëve varet nga çështja e pagave.

“Ky ligj shumë qartë të përcaktojë pavarësinë funksionale të auditorëve të brendshëm, mirëpo nëse nuk rregullohet çështja e pagave përmes këtij ligji, ne mendojmë, po flas ndoshta në emër të një grupi më të madh të auditorëve kolegë të mi të auditimit të brendshëm pjesë e institucioneve tjera, nëse nuk rregullohet me këtë ligj, pavarësia funksionale do të mbetet vetëm në letër,” tha ai.

Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës tha se në disa komuna pagat e auditorëve të brendshëm janë më të larta se ato të kryetarëve të komunave.

“Sa i përket çështjes së pagave më duhet vetëm të ju informoj se disa nga deputetët e dinë që në disa komuna paga e auditorit të brendshëm është më e lartë se e kryetarit të komunave, për këtë arsye ne si Asociacion I Komunave të Kosovës kemi qenë të involvuar në hartimin e Projektligjit për Pagat. Të gjitha këto çështje, të gjitha këto brenga, duhet të zgjidhen përmes Ligjit për Paga dhe besojmë që Parlamenti I Republikës së Kosovës duhet ta miratojë këtë ligj sa ma shpejt që është e mundur,” tha Ibrahimi.

Me projektligjin e ri do të rregullohet menaxhimi financiar, llogaridhënia menaxheriale dhe pavarësia e auditorëve. Së bashku me këtë edhe pagat do të pësojnë rënie.

http://kallxo.com/pergatitet-ligji-per-financat-e-brendshme-publike/