Padit Komunën e Suharekës, Kërkon Anulimin e Konkursit

Përmes një padie në gjykatë, Adelina Berisha po përpiqet ta detyrojë Komunën e Suharekës që të anulojë konkursin për vendin e punës të cilin ajo e ka mbajtur mbi dy vite.

Në muajin korrik, Komuna e ka shpallur të lirë pozitën e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në shkollën e mesme teknike “Skënder Luarasi”.

Në seancën gjyqësore që u zhvillua në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, Fatbardh Makolli, avokati i Adelina Berishës, tha se vendi i lirë i punës është hapur në kundërshtim me ligjin.

Sipas avokatit, me arsyetimin se klientja e tij nuk është e kualifikuar kemi të bëjmë me diskriminim, pasi që në këtë shkollë ka edhe mësimdhënës të tjerë me kualifikim edhe më të ulët se ajo dhe nuk është shpallur konkurs për vendet e tyre të punës.

“Meqenëse në kolektivin ku ka punuar edhe disa ish-kolegë të saj, të cilët nuk e kanë përgatitjen më të lartë, gjithashtu nuk e kanë as përvojën e punës më të lartë se paditësja, kurse këtë, përkatësisht të njëjtën e njoftojnë se është hapur konkursi për vendin e saj të punës, ndërsa kolegeve tjerë, të cilët siç theksuam më lart nuk kanë kualifikim më të lartë e as përvojën më të lartë nuk u hapet vendi i punës”, tha Makolli.

Ndërsa avokati publik i Komunës së Suharekës, Selajdin Gallopeni, tha në seancën gjyqësore se shkëputja e kontratës është bërë konform Ligjit të Punës dhe kontratës, e cila, sipas tij, ka qenë njëvjeçare.

“Pala paditëse ka krijuar marrëdhënie pune në bazë të kontratës, ku është e paraparë edhe kohëzgjatja e marrëdhënies së punës, e cila fillon më 04.09.2015 dhe zgjat deri më 31.08.2016, çka do të thotë se kontrata e punës është shkëputur në bazë të Ligji të Punës”, tha avokati i Komunës, Selajdin Gallopeni.

Për të vërtetuar pretendimet e avokatit të paditëses se ka pasur diskriminim dhe se ka edhe mësimdhënës të tjerë të pakualifikuar, Gjykata mori vendim që në cilësinë e dëshmitarit të ftohet drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Sherif Berisha dhe drejtori i shkollës “Skënder Luarasi”, Gëzim Sopa.