Gjykata Themelore e Pejes - Foto: :Atdhe Mulla

Padia 21 vjeçare e ish punëtorëve të “UTVA-së” në Pejë vazhdon të zvarritet nëpër Gjykatat e Kosovës

Valdet Nikçi nga Peja bashkë me 70 ish të punësuar, kishin ngritur padi që nga viti 1997 për kompensim të të ardhurave personale nga “Ndërmarrja Shoqërore-Fabrika e Konstruksioneve Metalike”, ish “UTVA” në Pejë, lëndë kjo e cila pas luftës përfaqësohej nga institucioni që tani njihet si fillimisht si Agjensioni i mirëbesimit, aktualisht Agjencioni Kosovar i Privatizimit.

Sipas Nikçit, këta punëtorë nuk kishin marrë pagë që nga muaji maj i vitit 1995 deri në mars të vitit 1999, kur edhe e kishin ndërprerë punën.

Prandaj ata sipas Nikçit kërkojnë që të paguhen për punën që kanë bërë gjatë atyre tre viteve e tetë muajve, të cilët sipas tij i bie që të kompensohen me nga pesë mijë euro secili.

Paditësi Valdet Nikçi ka raportuar në KALLXO.com, duke thënë që pavarësisht ripërtëritjes së padisë pas luftës, rasti i tij po zvarritet dhe nuk po jepet një vendim përfundimtar.

Ai tregoi që pas luftës padia ishte deponuar në Gjykatën Themelore në Pejë, e cila sipas paditësit e kishte shpallur vetën jo kompetente dhe e kishte dërguar rastin në Gjykatën e Apelit e cila me 20 prill të vitit 2016-të e kishte refuzuar si të pathemeltë ankesën e paditësve. Ndërsa me 2 tetor të vitit 2017-të po e njëjta gjykatë kishte prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim, e më pas e kishte përcjellë lëndën në Gjykatën Supreme.

Paditësit më pas kanë parashtruar ankesë ndaj Gjykatës Themelore në Pejë dhe Gjykatës së Apelit ku e kanë kundërshtuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë si të kundërligjshëm.

Gjykata Supreme e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se lënda e këtij ankuesi është regjistruar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës me 1 prill të vitit 2015-të.

Sipas kësaj gjykate, procedurat me shkrim pas ankesës së paditësit nuk janë përfunduar ende dhe se gjykata është në pritje të miratimit të ndryshimeve të Ligjit për DHPGJS për gjyqtarët që do të zëvendësojnë ata të EULEX-it.

“Nga shkresat e lëndës shihet se lidhur me ankesën, procedurat me shkrim nuk janë kryer. Zyra e Regjistrimit e DHPGJS me datën 01.10.2018 ia ka dorëzuar AKP-ës ankesën për të dhënë përgjigje. Tani gjykata është në pritje të miratimit të ndryshimeve të  Ligjit për DHPGJS nga Kuvendi i Kosovës dhe emërimit të gjyqtarëve të rinj të cilët do të zëvendësojnë gjyqtarët e EULEX-it pas përfundimit të mandatit të tyre më 14.06.2018. Kështu deri sa të miratohen ndryshimet e ligjit, kolegjet gjyqësore të dy shkallëve në DHPGJS nuk mund të marrin vendime lidhur me lëndët në pritje duke përfshirë edhe lëndën për të cilën është ankuar pala e përmendur më lartë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Ndërkaq, Gjykata e Apelit në Kosovë ka thënë për KALLXO.com se lënda është pranuar në këtë gjykatë më 10 janar të këtij viti dhe se është në pritje të radhës për vendosje.

“Gjykata e Apelit është tejet e ngarkuar më lëndë të natyrës civile (mbi 12 mijë), dhe si rrjedhojë procedimi i shpjete i tyre është i pa mundur. Duhet ta keni parasysh se kjo lëndë është gjykuar njëherë nga ana e kësaj gjykate në vitin 2017 dhe tanimë rasti ndodhet për herë të dytë”, thuhet në përgjigje.