Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli: Vuçiq duhet të ndalet me retorikat agresive ndaj Kosovës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se presidenti serb nuk mund të bëhet pykë në marrëdhëniet strategjike mes ShBA-së dhe Kosovës.

Në një postim në Facebook, Pacolli i ka bërë thirrje Aleksandar Vuçiqit të ndalet me retorikat agresive ndaj Kosovës.

Po ashtu, kryediplomati i Kosovës ka thënë se asnjë paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë nuk mund të ndërtohet pa gjykimin e krimeve, prandaj në funksion të kësaj duhet të ketë një Gjykatë e cila do të merrej me përgjegjësinë kriminale të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Rajoni duhet të pastrohet nga krimi dhe kriminelët që shëtisin të lirë gjithandej në Serbi e rajon”, ka shkruar ai.

Behgjet Pacolli ka thënë po ashtu se Vuçiq nuk ka pse të brengoset për komunitetin serb që jeton në Kosovë, “sepse nuk ka komunitet në botë, që gëzon të drejta dhe siguri në nivelin që kanë qytetarët serb në Republikën e Kosovës”.