Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli të enjten në Berlin, takon homologun gjerman Maas

Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, zëvendëskryeministri i dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, të enjten do të udhëtojë në Berlin, ku do të pritet nga homologu i tij gjerman.

MPJ bën të ditur se Maas dhe Pacolli do të bisedojnë për temat aktuale, me fokus të veçantë në marrëdhëniet bilaterale në mes Gjermanisë dhe Kosovës, duke filluar nga nevoja e pranisë edhe më të madhe të ekonomisë dhe investimeve gjermane në Kosovë, njohja reciproke e patent-shoferëve mes shtetasve të Gjermanisë dhe Kosovës, përkrahjen edhe të mëtejshme të diplomacisë së Gjermanisë në njohjet e shtetit të Kosovës etj.

“Në fokus të veçantë do të jetë edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën si dhe negociatat për marrëveshjen përfundimtare në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e ku Gjermania luan një rol të rëndësishëm”, thuhet në komunikatë të ministrisë.

MPJ njofton se ministrat Maas dhe Pacolli pas takimit do të flasin edhe para mediave gjermane në një konferencë të përbashkët për shtyp.