Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli: Taksa, instrument sovran i Kosovës kundër agresionit serb

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratës së vendeve të Quint-it, të cilët përmes një letre kanë kërkuar heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake dhe po ashtu rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi.

Pacolli përmes një publikimimi në Facebook ka thënë se Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme për rifillim të dialogut, por gjithmonë si dy shtete të pavaruara dhe sovrane që synojnë njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Po ashtu, ai ka thënë se deklarata e  Marko Gjuriq dëshmon mos gatishmërinë e Serbisë për rifillimin e dialogut duke lobuar kundër Kosovës vazhdimisht.

“Kosova gjithmonë ka qëndruar e përkushtuar të vazhdojë dialogun dhe ne kemi qenë të gatshëm të rifillojmë bisedimet, por ishte Serbia që la karrigen e saj të zbrazët dhe provokoi incidente dhe agresion kundër Kosovës vazhdimisht.  Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë Serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht”, ka shkruar Pacolli.

Ndërsa për taksën Pacolli ka thënë se ajo është mjet sovran i Kosovës, të cilën e ka përdorur shteti t’ i kundërpërgjigjet agresionit të Beogradit.

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar që menjëherë të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendet e Quntit gjithashtu kanë kërkuar që Kosova të heq taksën e vendosur për produktet serbe dhe boshnjake, si dhe nga Serbia që të ndërpresë fushatën për heqjen e njohjeve të Kosovës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar pasi pala serbe i ka pezulluar bisedimet pas vendosjes së taksës 100 për qind vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Ndërkaq, aktualisht Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj një muaj më parë.