Pacolli takohet me diplomatë të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik

Në ditën e dytë të vazhdimit të punimeve të sesionit të 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, vazhdoi lobimin intensiv duke takuar homologët e tij të disa prej vendeve pjesëmarrëse në këtë këshill.

Ai ka zhvilluar takime me ministrin e jashtëm të Bangladeshit, Abdul Momen, me ministrin e jashtëm të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al Khaled Al Ahmad Al Sabah, ministrin e jashtëm të Gambisë, Mamadou Tangara, atë të Afganistanit, Salahuddin Rabbani si dhe ministrin e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Në të gjitha takimet, kryediplomati kosovar, Pacolli, diskutoi për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, përderisa ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe integrimin e plotë të shtetit tonë në organizatat ndërkombëtare.

Hapja e ambasadave të Kosovës në Kuvajt e Bangladesh dhe emërimi i një ambasadori jo-rezident në Afganistan ka qenë njëra nga temat e diskutimeve të kryediplomatit kosovar, Pacolli, në takimet e ndara, që i ka zhvilluar me homologët e tij nga Kuvajti, Bangladeshi dhe Afganistani si dëshmi e përkushtimit dhe zotimit të vendit tonë për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dy-palësh në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Në takimin me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, numri dy i Qeverisë tonë ka diskutuar edhe mbi bashkëpunimin për promovimin e investimeve dhe tregtisë si dhe pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në “ExpoDubai 2020”, ndërsa gjatë bashkëbisedimit me ministrin e jashtëm të Gambisë, ai e ka ftuar këtë të fundit, që ta vizitojë së shpejti vendin tonë./RTK/