Behgjet Pacolli | Foto: Facebook

Pacolli: Strategjia e BE-së, 'Perspektivë e Besueshme'

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, është deklaruar në lidhje me Strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, i publikuar para pak çastesh nga drejtuesit më të lartë të BE-së.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se Pacolli e ka quajtur një perspektivë të besueshme të zgjerimit të BE-së angazhimin e shtuar të Brukselit dhe shteteve anëtare.

“Riafirmimi i një të ardhme europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga Presidenti, Jean-Claude Juncker, hapë perspektivë të re për më shumë stabilitet në fqinjësinë tonë. Ky është obligim i BE-së për të ruajtur perspektivën kredibile të zgjerimit për rajonin”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Sipas Pacollit, Strategjia e zgjerimit të BE-së për Kosovën hap një dritare historike, e cila i mundëson të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Europian.

“Republikës së Kosovës i është ofruar mundësi për progres të qëndrueshëm nëpërmjet implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, edhe pse ne kemi kërkuar trajtim të barabartë me vendet tjera të rajonit”, thuhet më tutje në njoftim.

Pacolli ka shtuar se janë disa fusha të ndryshme të cilat parashohin involvimin e BE-së në Planin e Veprimit për mbështetjen e Transformimit të Ballknit Perëndimor.

Këto fusha sipas Pacollit janë forcimi i mbështetjes për sundimin e ligjit, ku përfshihen matja e reformave në gjyqësi, luftimi i korrupsionit, mbështetja nga ekspertët e shteteve anëtare, monitorimi i proceseve gjyqësore, përkrahje e mediave të pavarura dhe shoqërisë civile, e të tjera.

Fusha tjetër është shtimi i angazhimit në aspektin e sigurisë dhe migracion: angazhim i përbashkët kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, postimi i oficerëve ndërlidhës të Europolit në të gjithë rajonin, marrëveshje bashkëpunimi me Eurojust, ngritja e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike dhe krimit kibernetik, menaxhimi i kufirit, krijimi i qendrave koordinuese kombëtare për kontrollin e kufirit, bashkëpunim në  Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri/ Siguria e Përbashkët si dhe Politika e Mbrojtjes,  e të tjera.

Përkrahje në zhvillimin socio-ekonomik, në të cilën përfshihen: Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, garancitë për investimet private, zhvillimi i sektorit privat, rritja e potencialit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkrahja e hulumtimeve dhe ndërtimi i kapaciteteve të inovacionit,  lehtësimi i tregtisë, forcimi i programit për reforma ekonomike,  rritja e fokusit në punësim dhe në reformat sociale, është një tjetër fushë sipas Pacollit.

Angazhim në shtimin e lidhjes infrastrukturore, pjesëmarrjen e autoriteteve dhe organizatave të Ballkanit Perëndimor në punën e rrjetit të rregullatorëve të energjisë dhe operatorëve të sistemit të transmisionit dhe shpërndarjes, Përkrahja në agjendën e digjitalizimit si dhe mbështetja e pajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore,  janë fusha të cilat parashohin involvimin e BE-së në Planin e Transformimit të Ballkanit Perëndimor.

Drejtuesit e BE-së gjatë prezantimit të Strategjisë për Ballkanin Perëndimor thanë se Kosova në rrugën e integrimit europian do të avancojë “atëherë kur ta mundësojnë rrethanat objektive” ndërsa Serbisë dhe Malit të Zi u ofruan perspektivën e integrimit në bllok pas tetë vitesh.

http://kallxo.com/progresi-per-kosoven-kur-te-lejojne-rrethanat-objektive/

Ndërsa, shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se siç deklaroi edhe shefja e saj, Federica Mogherini, lidhur me rrugën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk ka ndonjë dallim mes Kosovës dhe vendeve të tjera.