Pacolli reagon për kontrollin e pjesëmarrësve nga Kosova të “Mirëdita Dobar dan!” nga policia serbe

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli e ka dënuar ashpër kontrollin që policia serbe u ka bërë në Merdare pjesëmarrësve nga Kosova të festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!”.

“E dënoj me forcë sjelljen e policisë kufitare serbe ndaj pjesëmarrësve nga Kosova të ‘Mirëdita, Dobar dan!’ aktivitet që kërkon pajtimin nga dy vendet. Është i njëjti mentalitet dhe sjellje e policisë serbe si në vitet ’90”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Ai e ka vënë në dijeni për këtë zhvillim edhe shefen e Politikvs së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Foto: Behgjet Pacolli, Twitter

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, pritet të nis sonte në Beograd.

Organizata të shumta si dhe media nga Kosova, mëngjesin e sotëm janë ndaluar në pikën kufitare në Merdare dhe kanë kontrolluar në detaje udhëtarët duke përfshirë edhe posterët e festivalit.

Mbrëmë në Beograd janë mbajtur protesta në kundërshtim të këtij festivali dhe pritet që protesta të vazhdoj edhe në ditët në vijim.

Festivali kulturor pritet të zgjas deri më 1 qershor 2019.

KALLXO.com ka raportuar se dy patrolla të policisë së Serbisë janë duke i shoqëruar gjatë udhëtimit për në Beograd pjesëmarrësit nga Kosova të festivalit  “Mirëdita, dobar dan!”.