Behgjet Pacolli | Foto: Facebook

Pacolli i Quan ‘të Pamatura’ Deklaratat e Homologut Austriak Rreth Veriut të Kosovës

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskancelarit të Austrisë lidhur me Kosovën, për të cilën raportuan mediat.

Deklaratat se “Kosova është Serbi” apo “veriu i Kosovës ka të drejtë për vetëvendosje ose autonomi” siç raportuan mediat të ketë thënë numri dy i Qeverisë austriake, Heinz Christian Strache, Pacolli i ka quajtur “të pamatura” dhe që “nuk kontribuojnë në zgjidhjen e asnjë situate të acaruar në Kosovë”.

“Ne falënderojmë Austrinë për kontributin e madh që ka dhënë në Kosovë dhe rajon, por e kundërshtojmë fuqishëm deklaratën e zëvendëskancelarit, duke konsideruar se ajo deklaratë është dhënë pa e njohur mirë situatën reale në Kosovë”, ka shkruar ministri i Jashtëm i Kosovës në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Çdo iniciativë e kësaj natyre, ka shtuar Pacolli, mund ta hapë ‘Kutinë e Pandorës’ dhe mund të krijojë situata që sjellin gjakderdhje.

Po ashtu, Pacolli ka thënë me këtë rast se Serbia duhet të heqë dorë nga financimi i grupeve kriminale të serbëve në pjesën veriore të Kosovës dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet ta ushtrojë presionin e vet në këtë drejtim.

“Institucionet e Kosovës kanë kapacitetin e duhur që të vendosin rend dhe ligj në veri të vendit”, ka shtuar ai.

Mediat serbe raportuan sot se zëvendëskancelari austriak ka thënë se “veriu i Kosovës ka të drejtë për vetëvendosje ose autonomi” dhe se “është gabim t’i bëhet presion Serbisë që ta njohë Kosovën”.