Foto: Kallxo.com

Pacolli: OKB-në të nis hetimet për rusin e arrestuar në Kosovë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka ftuar përfaqësuesit e lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të iniciojnë një hetim të thellë dhe profesional në lidhje me përfshirjen e punonjësit të tyre, Mikhail Krasnoshchenkov, në zhvillimet e fundit në veri.

“OKB-ja është institucion i paqes, sigurisë dhe drejtësisë globale, përpjekjet e së cilës çmohen lartë nga kombet e lira dhe demokratike, andaj kushdo që duke keqpërdorur petkun e imunitetit funksional, përfshihet në agjenda dhe veprime të dyshimta e kriminale, jo vetëm që nuk e ka vendin në Kosovë, por nuk do të duhej t’i afrohej prezencës së OKB-së apo misioneve të saj kudo në botë”, shkroi Pacolli.

Pacolli tutje ka shkruar se ngjarje të tilla e dëmtojnë imazhin e kësaj organizate në Kosovë dhe me gjerë.

“Do t’i kërkojë misionit tonë diplomatik në SHBA, që kurdo që do të ketë një diskutim për zhvillimet në rajon, pranë kësaj organizate, ta adresojë rastin e këtij zyrtari, si një rast i cili shkon ndesh me të gjitha përpjekjet për rend dhe ligj në shtetin tonë”, vijon Pacolli.

Ai tha se institucionet kosovare të sigurisë dhe drejtësisë do të ishin të gatshme të bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të një hetimi të tillë nga ana e OKB-së, si dhe të ofrojnë informacionin që posedojnë, ku përpos thyerjes flagrante të rregullave të brendshme të OKB-së, nuk përjashtohet edhe shkelje e rëndë penale ndërkombëtare.

Ndryshe, Mikhail Krasnoshchenkov është shpallur person i padëshiruar në Kosovë dhe është urdhëruar që ta lëshojë territorin e vendit tonë.