Behgjet Pacolli raporton per deshtimin ne INTERPOL - 19.12.2018 FOTO KALLXO

Pacolli: Nuk kam thënë se Kosova do të jetë anëtare e INTERPOL-it

“Është bërë punë e madhe për INTERPOL, por unë asnjëherë nuk kam thënë se ne do të jemi anëtarë të INTERPOL”, kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se: “Deklarata ime e rimodeluar ka qenë që Kosova e meriton anëtarësimin në këtë organizatë. Kosova ka punuar shumë, dhe këtu është mbyllur çdo gjë. Nuk kam premtuar sepse nuk kam pasur fakte. Nuk e ndjej veten të pafajshëm, por ju garantoj që çdo gjë që ka qenë për t`u bërë, e kemi bërë”, ka deklaruar ai.

Pacolli ka thënë se e ka pasur një ndjenjë se diçka mundet të çalojë.

“Ne jemi shtet i vogël i porsalindur dhe të pretendosh se 2/3 votave t`i kesh në tavolinë është pak e papritur. Ne kemi diskutuar për votën e secilit shtet. Në moment të fundit na kanë çaluar disa shtete të vogla, fare të vogla”, tha ministri i Jashtëm.

“Kur është mbajtur konferenca nuk kam qenë brenda sallës, por jashtë duke punuar me shtete që të votojnë pro. Por nuk kemi arritur ta perfeksionojmë punën tonë dhe kemi çaluar në 8 shtete të cilave nuk po dua me ua përmend emrin. Tash e tutje nuk do të dorëzohem për të qenurit anëtar në INTERPOL. Kjo punë tash është pasion i imi. Do t`ua them edhe në Qeveri, task-forcën e ardhshme për këtë punë dua ta udhëheq vet. Do të ri-aplikojmë sërish në INTERPOL”, ka thënë Pacolli në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme.

https://kallxo.com/deshtimi-ne-interpol-pacolli-kerkon-te-mbyllet-per-media-raportimi-i-tij/

.