Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli: Na u pamundësua pjesëmarrja në Samitin e Sarajevës

Vetëm disa orë para fillimit të takimit në nivel ministror dhe Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP) që do të mbahet në Bosnje dhe Hercegovinë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se me kushtet ekzistuese Kosovës iu pamundësua përfaqësimi në këtë Samit.

Pacolli ka thënë se mënyra se si është menduar të trajtohet delegacioni shtetëror i Kosovës është e papranueshme. 

“Për më tepër, ajo i vë hije të keqe edhe Samitit të porsapërfunduar të Poznanit në kuadër të Procesit të Berlinit, deklaratave dhe zotimeve të përbashkëta që i kemi bërë aty, por edhe angazhimeve të sinqerta dhe konstruktive që Kosova si shtet i bën në kuadër të nismave dhe organizatave rajonale. Për fat të keq ky vullnet i yni është keqkuptuar nga ana e kryesuesit aktual të Kryesisë së Bosnjë Hercegovinës ndërsa qytetarët tanë i siguroj se ne nuk bëjmë kompromise me të arriturat tona si shtet si dhe me perspektivën euroatlantike”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Por ministri Pacolli ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të japë kontribut për zhvillimin e rajonit. Ai ka thënë se kjo është dëshmuar këtë vit kur me kryesimin e tri nismave shumë të rëndësishme rajonale (Fondi i Ballkanit Perëndimor WBF, Zyra rajonale për bashkëpunim të rinisë RYCO, dhe Nisma rajonale për migrim, azil dhe refugjatë MARRI).

Pacolli ka njoftuar se kryesimin e Samitit të radhës të SEECP do ta marrë Kosova.

“Njëjtë do të bëjmë edhe pas përfundimit të Samitit të SEECP në Sarajevë kur edhe do ta marrim kryesimin me këtë nismë. Ndërsa kur e dimë se SEECP është krijuar me qëllimin për forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon dhe integrimin e plotë të Europës Juglindore në strukturat euroatlantike kjo sjellje ndaj Kosovës si kryesuese e radhës nuk i bën nderë Bosnjë e Hercegovinës”, ka përfunduar Pacolli postimin e tij.

Përveç Kosovës, edhe Shqipëria e ka anuluar pjesëmarrjen në Samitin SEECP që do të mbahet në Bosnje dhe Hercegovinë, në shenjë solidarizimi për Kosovës.

Krerët e Kosovës kanë refuzuar të jenë pjesë e Samitit për shkak të ftesës denigruese që sipas tyre e ka bërë presidenti aktual i Bosnjës.