Pacolli: Krerët shtetërorë ishin unikë në Samitin e Berlinit

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, në raportimin e tij para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme nuk ka lënë pa përmendur edhe Samitin e Berlinit, për të cilin ka thënë se pala kosovare ka pasur dakordancë të plotë.

“Nuk kam pa asnjë pikë ku ka çaluar mendimi i presidentit me kryeministrit në Berlin. Nëse ka ndodhë diçka kur unë nuk kam qenë aty, nuk e di.  Konsideroj qe ekipi ynë në këtë konferencë ka qenë unik. Sidomos ndaj vonesës së vizave kanë qenë kritik të gjithë bashkë”, ka thënë ai.

Ai i ka konsideruar spekulime deklarata që kryeministri dhe presidenti nuk kanë qenë në të njëjtën linjë gjatë këtij takimi.

“Çka ka dalë prej fjalimeve të tyre ka qenë një samit ku pala kosovare ka qenë unike. Të tjerat janë spekulime”, ka thënë tutje ai.

Shtetësia, integriteti territorial i Republikës së Kosovës dhe dialogu me Serbinë, ishin kryetema të samitit njëditor të Berlinit, që u mbajt të hënën në kryeqytetin e Gjermanisë, nën organizimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Një ditë pas takimit, krerët e shtetit të Kosovës shfaqën qëndrime dhe detaje të bisedimeve nga takimi, kurse pozita dhe opozita në vend i mirëpritën konkluzionet e shteteve mike.

Para nisjes për në Berlin kryeministri Ramush Haradinaj kishte thënë se shpreson në harmonizimin e qëndrimeve me Presidentin.

Gazeta ‘Jeta në Kosovë’ ka analizuar dallimet në qëndrime të dy liderëve.

Paria e Kosovës e ndarë shkoi, edhe më e ndarë u kthye nga Berlini