Behgjet Pacolli - 05.04.2019 - FOTO KALLXO

Pacolli kërkon nga BE-ja që ta 'disiplinoj' Serbinë pas incidentit të djeshëm në Samitin Digjital në Beograd

Në Samitin e dytë Digjital, të mbajtur në Beograd të Serbisë, dje është nënshkruar marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimit të “Roaming”-ut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por i gjithë ky samit nuk kaloi pa incidente, sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili sot në konferencë për media tha se Bashkimi Evropian duhet ta disiplinoj Serbinë.

“Republika e Serbisë ka thyer secilën marrëveshje për të cilën është pajtuar vet. Gjatë këtij sesioni, organizatorët ndalojnë mikrofonat, dhe i kalojnë fjalën dikujt nga publiku i cili bënë thirrje shoviniste kundër Republikës së Kosovës. Në të njëjtën kohë, thirrjet shoviniste, shfaqen nga organizatori në ekranin e madh para palenistëve. Ky fakt tregon se e gjithë ngjarja ka qenë e orkestruar nga nikoqirët, në këtë rast Republika e Serbisë”, ka thënë ministri Pacolli.

Pacolli poashtu ka thënë që ky nuk është rasti i vetëm i orkestrimeve të tilla, sipas tij një skenarë i njëjte është paraqitur edhe në organizimin Qendra Inovative e Kosovës. Prandaj sipas tij BE-ja nuk duhet të qëndroj indiferente ndaj Serbisë.

“Ftojmë BE-në që ta disiplinoj Serbinë që të mos i dëmtoj sukseset e rajonit sapo këto suksese vijnë në jetë. BE-ja në vazhdimësi po qëndron indiferente në raport me këto sjellje të Serbisë dhe kjo gjë nuk i kontribuon absolutisht paqes dhe stabilitetit në rajon.

Gjatë ditës së djeshme në samitin digjital të Ballkanit Perëndimor i në Beograd, ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për zbritjen e çmimeve të roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Palët nënshkruese të marrëveshjes, e cila do të quhet “Roaming si në shtëpi” do të fillojnë gradualisht që nga 1 korriku 2019 të ulin kostot e roaming-ut, ndërsa nga 1 Korriku 2021 nuk do të ketë çmime bazë të roaming-ut.