Pacolli: Ka Shumë Dreqër në Politikën e Kosovës

Ish- Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë për “Jeta në Kosovë” tha se Hashim Thaçi do të zgjidhet të premten president meqë “i ka votat”.

“Nesër zgjidhet Hashim Thaçi president. Unë kam thënë se Presidenti nuk duhet të jetë mall i ndërrimit të politikës. Nesër Thaçi zgjidhet president për arsye se i ka votat, ato (PDK dhe LDK) janë dy parti të mëdha, jo që e donë z. Thaçi ”, tha Pacolli.

Ai tha se po të ishte në vendin e Thaçit nuk do të pranonte të jetë projekt i interesave partiake dhe do të hiqte dorë nga kandidatura e tij për President.

“Unë sikur të isha si Hashim Thaçi unë në moment do të mblidhja grupin tim me anëtarët e koalicionit dhe do ju thosha që janë disa amendamente në Ligjin e Ri për Zgjedhje dhe do e kisha bërë që Presidenti të zgjidhet nga populli”, deklaroi Pacolli

I pari i AKR-së tha se koalicioni PDK- LDK do të prishet pas zgjedhjes së Hashim Thaçi për president të vendit.

“Unë mendoj që z. Thaçi do të zgjidhet president dhe pas pak kohe ai do ta prishë koalicionin. Jam i bindur sepse nuk e duron ky vend këtë qeveri dhe do të  shkohet në zgjedhje”, deklaroi Pacolli.

Ai tha se në këto situata politike janë disa dreqër që, sipas tij, janë akterët kryesorë të vendit.

“Nuk mundet me qenë veç një dreq, janë shumë dreqen. Unë filloj prej z. Mustafa që ka filluar t’i ofendojë njerëz djathtas –majtas. Isa Mustafa përfaqëson dy figura dhe nga ana tjetër është goxha burrë fshatar sepse është nga Gollaku por nga ana tjetër ka treguar se nuk është i aftë ta udhëheqë një ekonomi të lirë të tregut”, tha Pacolli.

Sipas tij zgjidhja më e mirë e gjithë kësaj situate politike është që Qeveria aktuale të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

Kreu i AKR-së pati porosi për krerët e lartë të institucioneve të Kosovës duke përfshirë këtu edhe Presidenten Atifete Jahjaga për të cilën tha se gjatë pesë viteve në krye të shtetit, ka pasur një “urrejtje të heshtur” ndaj tij.

“Presidentja ka pasur një urrejtje të heshtur ndaj meje. Presidentja e ka një letër për të vepruar diçka dhe nuk ka vepruar mirë. Presidentja është zgjedhur në shtëpinë time dhe unë kam qenë ai që e kam përkrahur”, tregoi Pacolli.

Pacolli foli edhe për kohën kur ishte zgjedhur President i Kosovës pozitë këtë që e mbajti vetëm 35 ditë meqë zgjedhja e tij u vlerësua si e paligjshme nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Unë kam qenë një viktimë e një procesi të tillë, viktimë e pazareve të partive të ndryshme, konspiracioneve të ndryshme. Për mua akterët politikë sot në Kosovë janë të pasinqertë sepse ata nuk e donë punën e vet, qytetarin e vet, Kosovën e vet”, tha Pacolli.

Ish- presidenti Pacolli tregoi se ka marrë ftesë zyrtare për seancën e së premtes ku pritet të zgjidhet Presidenti i vendit.

Por ai tha se nuk do të jetë i pranishëm në këtë seancë meqë do të jetë jashtë vendit.