Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli i nis letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës , Behgjet Pacolli i ka dërguar letër  Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres.

Në këtë letër Pacolli ka shprehur kënaqësi lidhur me takimet më të rralla lidhur me Kosovën në Këshill të Sigurimit.

“Sapo i jam drejtuar me një shkresë, Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ku i kam shprehur, që jemi të inkurajuar me zhvillimin në lidhje me diskutimet më të rralla pranë Këshillit të Sigurimit për Republikën e Kosovës. Me përparimet që ka bërë Kosova përgjatë viteve, po fillon perspektiva e anëtarësimit në një të ardhme të shpejtë, të Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Tutje ai në këtë letër ka përmendur edhe rrugën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim.

“Sekretarin e Përgjithshëm, Guterres, e informova që anëtarësimi në OKB, është veçanarisht i mundshëm tani, për faktin se Serbia, ndonëse me vështirësi, së voni ka filluar të shfaqë sinjale të hershme, që është e interesuar të ecë përpara dhe të pajtohet me të vërtetën e afirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me Opinionin e 22 Korrikut, 2010, me të cilin konfirmohet se shtetësia e Republikës së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën publike ndërkombëtare”, ka shkruar tutje Pacolli,

Poashtu në këtë letër dërguar sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ministri Pacolli ka kërkuar më shumë vëmendje ndaj opinionit të GjND-së, i  cili i ka mundësuar Serbisë të shoh këtë të vërtetë, veçanarisht në lidhje me atë se qëndrimi i saj diplomatik ndaj shtetësisë së Kosovës, kërkohet që patjetër të ndryshojë.

“Po ashtu, Sekretarit Guterresi i kërkova vëmendje të shtuar ndaj Opinionit të GjND-së, si institucioni më i lartë i drejtësisë i OKB-së, Opinion i cili ka kuptimin e Njohjes Kolektive, dhe i cili është baza mbi të cilën Asembleja e Përgjithshme e OKB-së, ka ftuar në dialog të ndërmjetësuar nga BE. Pra nënkuptohet, se Rezoluta e Asemblesë së OKB-së, 64/298, e 9 Shtatorit, 2010, afirmoi fuqishëm shtetësinë tonë” ka shkruar Pacolli.

Tutje në këtë letër Pacolli ka informuar sekretarin  se Kosova ka hyrë në fazën finale të dialogut e cila pritet të mbyllet me njohje.

“Në qasjen time e informoj Sekretarin e Përgjithshëm, se tashmë me dialogun politik, me qëllim të përmbylljes së Marrëveshjës Gjithpërfshirëse, Ligjërisht, Ndërkombëtarisht Obligative, kemi ardhur në momentin e njohjes reciproke si dy vende të pavaruara”, ka shkruar .

Sipas Pacollit Republika e Kosovës synon anëtarësimin në OKB, dhe për këtë qëllim është e  gatshëm të investoj për të përkrahur nisma dhe misione të OKB-së, në funksion të paqës dhe stabilitetit për të gjithë.