Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli i ‘Hëngri Fjalët’ për të Hyrë në Qeveri

‘Lufta për karrige’ është një term i dëgjuar në Kosovë dhe kjo luftë shpesh herë është dëshmuar që nuk ka kufizime.

Të ashtuquajturat ‘Vijat e Kuqe’ të partive politike për njëra-tjetrën para zgjedhjeve shpeshherë zbehen kur shihet interesi për t’u ngritur në pushtet.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli kishte thyer zotimin e tij dy herë sa i përket koalicioneve.

Një herë ai ‘ishte betuar’ që nuk bën koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe megjithatë u rreshtua krah kësaj partie para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të vitit 2017.

E as këtij ndërrimi të qëndrimit nuk i qëndroi besnik.

Sa ishte në koalicion parazgjedhor me LDK-në, Pacolli sërish u zotua për vija të kuqe me Partinë Demokratike të Kosovës me të cilën u zotua se nuk do të bënte koalicion qeverisës.

Kjo shënoi rrenën e dytë të Pacollit brenda pak muajsh, kur ai fluturoi në krahët e koalicionit PAN të cilëve iu bashkua në qeverisje.

Që nga fillimi i vitit të kaluar KRYPOMETRI, një verifikues faktesh i certifikuar faktesh i njohur ndërkombëtarisht, ka detektuar gënjeshtrat e bëra zyrtarët publik.

Krypometri është verifikuesi i parë dhe i vetmi i fakteve në Kosovë, i cili u bë pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar për Vërtetimin e Fakteve (IFCN).

Krypometri ka vazhduar matjen e deklaratave të zyrtarëve publikë edhe këtë vit dhe rrenat apo të vërtetat e tyre mund t’i gjeni këtu.