Policia në veri - 28.05.2019. Foto: Kallxo.com

Pacolli i bën thirrje Serbisë të mos abuzojë politikisht me operacionin në Veri

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dënuar ashpër sjelljen e Serbisë karshi operacionit të cilin Policia e Kosovës është duke e zhvilluar në veri.

Sipas tij ky është një aksion i thjeshtë i cili ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Unë i dënoj thirrjet e qeverisë serbe që madje e kanë thirrur ushtrinë të jetë e gatshme për shkak të një operacioni të thjeshtë policor kundër rrjeteve të krimit të organizuar”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Tutje Pacolli i ka bërë thirrje shtetit Serb që të mos abuzoj politikisht me operacionin në fjalë sepse sipas tij, Serbia duhet ta mbështet luftën kundër korrupsionit.

 

“Unë i bëj thirrje Serbisë të mos abuzojë politikisht me një operacion të thjeshtë të policisë. Iu bëj thirrje atyre të mbështesin luftën kundër krimit të organizuar dhe të mos kundërshtojnë atë. Ajo që ka rëndësi është mirëqenia e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe qeveria e Kosovës garanton që kjo është me interes të lartë”, ka shkruar tutje Pacolli.

Tutje Pacolli ka sqaruar se operacioni në fjalë ka për qëllim arrestimin e personave të përfshirë në kontrabande dhe krim të organizuar në Kosovë.

“Policia e Kosovës po kryen një operacion në Kosovën veriore për të arrestuar qytetarë të Kosovës duke përfshire Policë të cilët janë pjesë e një rrjeti që ka qenë thellësisht i përfshirë në kontrabandë, ryshfet, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar. Ky operacion ka qenë i përgatitur që disa muaj dhe është pjesë e përpjekjeve më të mëdha që Kosova po ndërmerr për të forcuar rendin dhe sundimin e ligjit në të gjithë vendin”, ka thënë tutje ai.

Sipas Pacollit Kosova dëshiron të tregojë vullnetin e saj për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe ne i bëjmë thirrje të gjithëve për të mbështetur veprime të tilla.