Ferid Agani - Foto: KALLXO.com

Pacientët referoheshin në spitale private, stentave u skadonte afati në depotë e QKUK-së

Në kohën kur pacientët kosovarë me probleme me zemër dërgoheshin për trajtim në spitale private dhe jashtë vendit, për çka nga buxheti i shtetit ishin shpenzuar miliona euro, në QKUK kishte stenta në vlerë rreth 270 mijë euro, të cilave u kishte skaduar afati.

Kështu ka thënë në Gjykatë ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili po gjykohet bashkë me ish-sekretarin e së njëjtës Ministri, Gani Shabani, në rastin e njohur si “Stentat 1“ për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare

Sipas të akuzuarit Agani, skadimi i afatit të stentave kishte ndodhur në mandatin paraprak e jo në mandatin e tij.

“Për  mua ka qenë befasi kur në ditët e para të mandatit si ministër, në shkurt të vitit 2011, kam marr shkresë zyrtare nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë se në Klinikën e Kardiologjisë ekzistojnë stenta të skaduara në vlerë prej 270 mijë euro, dhe në lidhje më këtë kam kërkuar sqarime nga menaxhmenti i QKUK-së , dhe më pas janë organizuar disa takime mes zyrtarëve të Ministrisë dhe menaxhmentit të QKUK-së dhe në të gjitha këto takime kam kërkuar përgjigje”, tha Ferid Agani.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Shadije Gërguri nëse ishte bërë verifikimi i afatit të stentave, i akuzuari Ferid Agani tha se ato kishin pasur afat por u kishte skaduar afati në QKUK.

Kurse për marrëveshjet e bashkëpunimit që Ministria e Shëndetësisë kishte pasur me spitalet private, Agani tha se qëllimi parësor i këtyre marrëveshjeve kishte qenë rregullimi i formës së subvencionimit, ndërsa aspekti dytësor i tyre sipas tij kishte qenë realizimi i objektivit qeveritar për fuqizimin e sektorit privat krahas me atë publik.

Ndërsa në lidhje me detyrat e bordit, Ferid Agani theksoi se detyrë e tij ka qenë vlerësimi përfundimtar i kërkesës për trajtim të pacientit dhe përcaktimi i institucionit shëndetësor ku qytetari do të marrë shërbimin.

Me pas sa u përket pagesave që u ishin bërë pacientëve, Ferid Agani tha se të gjithë ata pacientë që nuk kanë plotësuar kushtet për përfitim të pagesave prej 100 % janë kompensuar në shumën prej 70 %.

Sipas Aganit asnjëherë nuk kishte ndodhur që të shkonte ndonjë ankesë apo informatë nga ndonjë pacient, i cili kishte dyshuar se nuk i ishte vendosur stenta.

Kurse sa i përket stentës së parë që ishte vendosur në QKUK, ai  tha se kishte ndodhur shumë kohë para mandatit të tij por ai tha se edhe gjatë mandatit të tij ka pasur raste kur ishin vendosur stenta në QKUK.

Më pas për shumën e përgjithshme që Ministria e Shëndetësisë kishte paguar për spitalet private “IMH” dhe “EDA”, Ferid Agani tha se kishte qenë rreth 1 milion e 700 mijë euro.

Pastaj Ferid Agani u pyet edhe për dy të akuzuarit Borche Petrovskin dhe Ali Hocaoglun, të cilët tashmë janë të akuzuar në rastin “Stenta 3”.

“Ketë person Ali Hocaoglun e kam njoftuar edhe para se të bëhem ministër. Ka qenë përfaqësues i një kompanie farmaceutike dhe kemi pas marrëdhënie miqësore. Në zyrën time ka qenë dy-tri herë  dhe atë në takime zyrtare. Ndërsa Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Mehemet Meyzinoglu, nuk ka qenë në vizitë zyrtare, unë kam qenë në vizitë zyrtare tek ai dhe me këtë rast jemi dakorduar për projektin prej 2 milionë euro të kujdesit intensiv në QKUK, i cili u hap vitin e kaluar. Nuk është biseduar fare me ministrin për çështjet e spitaleve private në Kosovë. Disa herë gjatë takimeve zyrtare me Hocaoglun e kam theksuar nevojën e bashkëpunimit mes spitalit që ka drejtuar Hocaoglu dhe Klinikës së Kardiologjisë në QKUK duke insistuar që ky bashkëpunim të shtohet”, tha Ferid Agani.

Ish-ministri është pyetur edhe rreth regjistrimit të djalit të tij në Universitetin “Cerrah Pasha”, në Stamboll.

Agani ka mohuar se drejtori i spitalit “International Medicine Hospital”, Ali Hocaoglu i kishte ndihmuar që ta regjistronte djalin e tij Nystret Aganin.

“Djali im ka qenë student i Fakultetit të Mjekësisë “Cerrah Pasha” të Universitetit Publik të Stambollit, i cili është pranuar në procedurë të rregullt në bazë të rekomandimit nga Ambasada e Turqisë në Kosovë dhe marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Universitetit. Ndërsa Ali Hocaoglu nuk më ka ndihmuar në asnjë mënyrë dhe djali im me meritat e tij është bërë student i atij fakulteti dhe tashmë i ka përfunduar studimet në afat të rregullt”, u përgjigj Agani.

Kryetarja e trupi gjykues Shadije Gërguri më pas e pyeti se si shpjegohet fakti se pasi që janë bërë arrestimet për rastin “Stenta” gjendja në Kardiologjinë invazive të QKUK-së ka ndryshuar për të mirë.

I akuzuari Agani tha se për një gjë të tillë duhet të pyeten mjekët që kanë punuar aty.

Seanca ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari tjetër,  ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.

Në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Nikë Shala, Shabani deklaroi se në Prokurori kishte dhënë tri deklarata dhe se mbetet pranë atyre deklaratave.

Sa i përket marrëdhënies së punës me Ministrinë e Shëndetësisë, ai tha se ishte caktuar ushtrues detyre si sekretar në janar të vitit 2012 me mandat trevjeçar.

Kurse për marrëveshjet bashkëpunuese me institucionet private, ai tha se janë vazhduar ato marrëveshje që kishin qenë paraprakisht të vitit 2011 dhe se kishte nënshkruar edhe  marrëveshje në kohën sa ishte sekretar, dhe sipas tij marrëveshjet nuk ishin nënshkruar vetëm me dy spitalet private, por me më shumë se nëntë spitale.

Kurse për bordin ekzekutiv, Shabani tha se bordi ka qenë i formuar prej pesë anëtareve dhe se anëtarët çdo herë kanë qenë mjekë, por ndonjë nga anëtaret ka mundur të jetë edhe jurist.

I akuzuari Gani Shabani gjithashtu tha se pacientëve asnjëherë nuk iu ka imponuar klinika ku ata dëshirojnë të marrin trajtimin.

Në pyetjen e gjykatëses Shadije Gërguri se a kishte ndodhur që shkresat që kishin ardhur nga bordi ekzekutiv me të cilën ishte aprovuar kërkesa për shërim jashtë vendit të nënshkruhet nga dikush tjetër në vend të tij, i akuzuari Shabani tha se ka pasur me dhjetëra raste që në mungesë të tij të nënshkruhen shkresat nga dikush tjetër mirëpo sipas tij gjithmonë me autorizim të tij.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 10 prill, ku i akuzuari Gani Shabani do të merret në pyetje nga ana e prokurores Florie Shamolli.

https://kallxo.com/ish-ministri-i-shendetesise-marreveshjet-me-spitalet-private-ishin-te-ligjshme/?fbclid=IwAR0DILgrzaiKvi09mPr82Vp_xwnEfPBwaEvM4LgTWsNytwIrHqMmSxoMJlQ

Në rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Procedura ndaj Aganit dhe Shabanit është veçuar me qëllim që gjykata të optimizojë procedurën.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, Ferid Agani dhe Gani Shabani i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Shkrimet e KALLXO.com për këtë gjykim mund t’i lexoni në këtë LINK.