Ilustrim

Pacientët nuk po i arsyetojnë mjetet e Ministrisë pas trajtimit

Nga 81 pacientë, dosjet e të cilëve i kishte testuar Auditori, 59 prej tyre nuk kishin sjellë dëshmi për trajtimin mjekësorë të cilin ua mbuloi Ministria.

Në anën tjetër 22 pacientë që kishin sjellë dëshmitë, ato ishin të mangëta dhe të pasakta.

Subvencionimi i pacientëve për trajtim mjekësorë nga Ministria e Shëndetësisë u shoqërua me mangësi.

Pacientët përfitues, nuk i arsyetuan mjetet me dëshmi pas trajtimit.

Auditori gjeti se 73 përqind e pacientëve që u ndihmuan nga shteti për trajtim, nuk i arsyetuan me dëshmi.

“Nga tetëdhjetë e një (81) mostrat e testuara për TMJIPSH, që përfaqësojnë 9% të gjithë pacientëve të subvencionuar nga programi TMJISHP, ne kemi vërejtur se vetëm 22 pacientë apo 27% e përfituesve kishin sjellë faturat e trajtimeve në FSSH. Po ashtu, nga 22 mostrat kur pacientët kanë kthyer faturat e trajtimit, në tri (3) mostra kemi vërejtur që ka mos përputhje në mes të pro faturave dhe faturave të paguara në vlerë prej 7,336€. Kjo ndodh për shkak të neglizhencës nga palët përfituese për t’i ofruar dëshmitë pas trajtimit për shpenzimet e ndodhura”, gjen Auditori.

Gjetjet e Auditorit bazohen në vendimin e Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh), dhe nenit 7 të Udhëzimi Administrativ 03/2017 për TMJISHP, ku pacientët përfitues të programit për TMJISHP me rastin e përfundimit të trajtimit, duhet të dorëzojnë në ministri faturat e trajtimit.

Mungesa e dëshmive, rrezikon se mjetet nuk përdorën për qëllime mjekimi

“Mos ofrimi i dëshmive për kostot e trajtimit nga palët, rrit rrezikun që mjetet e dhëna nuk përdoren për qëllimin e paraparë”, evidenton si rrezik raporti.

Ministrit të këtij dikasteri iu rekomandua se duhet të krijoj mekanizma efektiv për të siguruar se palët përfituese janë duke e respektuar obligimet për arsyeshmërinë e plotë të shpenzimeve të subvencionuara nga ministria

Dosjet e 81 pacientëve të cilat Auditori i kishte testuar, përbëjnë 9 përqind të numrit të pacientëve të përgjithshëm përfitues.

Përmes letër konfirmimit të Ministrisë së MSh-së, konfirmohet se e ka pranuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2018-të.

Me anë të kësaj letre, Ministria pajtohet më këto të gjetura duke mos komentuar ato.

“Pajtohem me të gjeturat dhe rekomandimet dhe nuk kamë ndonjë koment për përmbajtjen e raportit”, thuhet në mes tjerash në letrën konfirmuese.