Foto: Kallxo.com

Pa votën e Komisionit shkon në Kuvend projektligji për Dhomat Speciale të Gjykatës Supreme

Me 5 vota kundër, 4 për, 1 abstenim, pra pa rekomandimin e komisionit, projektligji i Dhomën Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit tash i kalon Kuvendit.

Deputetët e opozitës e kanë kritikuar projektligjin, ndërsa të tjerë e kanë vënë në pyetje vetë idenë kësaj Dhomës së Posaçme në Gjykatën Supreme.

Deputeti i Partisë Social Demokrate, Frashër Krasniqi, tha se po lëvizet shumë shpejt me projektligjin.

“Jam i detyruar të votoj kundër…Nuk duhet të shqyrtohet kështu siç është me këtë dinamikë”, u shpreh ai.

Ngjashëm, edhe Albulena Haxhiu e VV-së e kritikoi projektligjin duke deklaruar se në formën e tanishme Dhoma e Supremes nuk do të ofrojë transparencë.

“Aktgjykimet do të jenë të fshehta dhe nuk do të zbulohen”, citoi ajo nga projektligji për Dhomën e Posaçme për rastet e AKP-së.

Po ashtu, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Korab Sejdiu, tha se nuk sheh arsye se pse Dhoma e Posaçme të jetë në Supreme.

“Nuk e di pse kjo duhet të jetë pjesë e Gjykatës Supreme”, tha ai.

Ndërsa, Arben Gashi nga po e njëjta parti nuk janë dy shkallë e as tre shkallë të gjykatës për këto raste, pasi që lëndët për AKP e kanë shkallën e parë të ankesës brenda AKP-së dhe të dytën në Gjykatën Supreme.

“Kur flasim për çështje të privatizimit, sa shkallë të gjykimit i kemi? Themi 2. Ku janë ato shkallë të gjykimit. Shkallët e gjykimit: Gjykata Supreme”, tha ai.

Por, deputeti Hajdar Beqa nga Partia Demokratike tha se miratimi i projektligjit i ndihmon vendosjes së drejtësisë që mungon rastet e kësaj gjykate.

“E dimë sa lëndë janë (mbi 2.300) dhe kryerja e këtyre lëndëve është edhe interes i atyre punëtorëve që kanë punuar (në ndërmarrjet shoqërore të privatizuara)”, ka thënë deputeti.
Ndërsa, Nezir Çoçaj nga PDK tha se ligji jep mundësi të reja.

“Ju e keni përmendur se janë 2300 lëndë janë të patrajtuara si duhet, thjesht ta shohim ky projektligj a do të ndihmojë që ta zgjidhë këtë problem”, u shpreh ai.

Komisioni për Legjislacion e ka kaluar edhe Projektligjin për Familjen dhe e refuzoi formimin e komisionit mbikëqyrës për zbatimin e ligjit për faljen.