Mbledhja e qeverisë | Foto: ZKM

Pa Pëlqimin Britanik Emërohet Sekretari i MASHT-it

Ekrem Kastrati është emëruar sekretar i përgjithshëm në MASHT, edhe pse ishte rekomanduar se asnjëri nga kandidatët nuk ka treguar rezultat shumë të kënaqshëm.

Kur u diskutua në mbledhjen e sotme të qeverisë për propozim-vendimin e emërimit të sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, tregoi se për këtë pozitë konkurruan 15 kandidatë.

Ai më tutje bëri të ditur se 13 nga kandidatët hynë në listë të ngushtë, ndërsa në intervistë u ftuan tre persona.

Yagcilar tregoi se asnjëri nga kandidatët nuk u rekomanduan për këtë pozitë.

“Pas intervistës, komisioni dhe ambasada britanike si partner kanë dhënë rekomandime se asnjëri nga kandidatët nuk ka treguar rezultat të kënaqshëm për sekretar të përgjithshëm”, tha Yagcilar.

Megjithatë, ai tregoi se me këto rekomandime e ka njoftuar ministrin Shyqiri Bytyqi, i cili, sipas Yagcilar-it e ka preferuar Kastratin për sekretar të përgjithshëm.

Më pas emri i Kastratit u nxor në votim dhe u miratua.

Edhe më 3 shkurt qeveria emëroi Burim Rrecajn sekretar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, edhe pse para tij kompania britanike që është e përfshirë në rekrutim të zyrtarëve e kishte preferuar atë si kandidatin numër 4.

http://kallxo.com/ojq-te-reagojne-per-emerimin-politik-te-sekretarit-ne-mti/

Sot disa deputetë kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për ta themeluar një komision hetimor që do të merrej me vendimet për emërimin e shërbyesve të lartë civilë në institucione shtetërorë.

http://kallxo.com/kerkohet-hetimi-parlamentar-per-politizim-te-bordeve-dhe-pozitave-te-larta/