Pa LDK-në dhe VV-në shqyrtohet platforma e dialogut

Kuvendi pas  më shumë se një orë debat nëse duhet apo jo të vazhdojë seanca, ka kaluar në pikën e dytë të rendit të ditës ku do të bëhet shqyrtimi i Platformës për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Pata fillimit të kësaj pike, deputetë të LDK-së dhe VV-së kanë lëshuar sallën plenare, pasi kundërshtuan ashpër mbajtjen e kësaj seance.

Kurse, pas këtij veprimi të opozitës, reagoi kryeministri Ramush Haradinaj.

“Nuk keni arsye me e leshu sallën kur e kemi temën më të rëndësishme para vetes”, ka theksuar Haradinaj.

Ndërkaq, bashkë kryesuesi i Delegacionit Shtetëror për dialogun, Fatmir Limaj po e paraqet dhe po e prezanton platformën e tyre për bisedimet me Serbinë.

“Në platformën e  dialogut janë të saktësuara të gjitha parimet përmes së cilave delegacioni shtetëror do ta përfaqësojë Kosovën në procesin e dialogut. Delegacioni do ta raportojë dhe ta informojë Kuvendit për të gjitha çështjet me dialogun”, tha zëvendëskryeministri Limaj.

Limaj ndër të tjerash e kritikoi presidentin serb Aleksandër Vuçiq, pasi sipas tij nuk po i pranon krimet e forcave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Presidenti i atij vendit thotë se masakra e Reçakut është krim i montuar për të realizuar bombardimet mbi Serbinë. Koha është që ne me zë të fuqishëm ti adresojmë problemet dhe ti japim mundësi një dialogu të mirëfilltë. Kosovës i duhet dialogu dhe nuk do ti ikë asnjëherë tavolinës së bisedimeve”, shtoi ai.