OVL-UÇK proteston me 12 qershor, në Ditën e Çlirimit

Me mbishkrimin “Me ju çlirimtarë”, Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të OVL – UÇK, Faton Klinaku, ka njoftuar se të shtunën e kësaj jave nga ora 11:00 do të protestojnë në Prishtinë.

Klinaku ka thënë se Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do mbajë këtë aktivitet protestues ‘për shkak të fyerjeve që po bëhen ndaj UÇK-së dhe në përkrahje të çlirimtarëve që gjenden padrejtësisht në Dhomat e Specializuara në Hagë’.

“Kemi nderin të ju njoftojmë që me datën 12.06.2021, ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të mbahet aktivitet protestues përmes artit. Këtë përvjetor të ditës së çlirimit të Kosovës, po e presim pa prezencën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj e kemi obligim moral e njerëzor që në këtë ditë të veçantë për vendin tonë, të jemi në përkrahje të tyre”, ka shkruar ai në facebook.

KALLXO.com ka kontaktuar Klinakun për të marrë më shumë detaje rreth organizimit të këtij aktiviteti protestues, mirëpo i njëjti nuk ka pranuar të flasë përtej asaj që ka shkruar në facebook, me arsyetimin që nuk ka kohë.

Të dielën, KALLXO.com raportoi se pas një incidenti në një kafeteri në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren është arrestuar ish- kryetari i OVL- UÇK, Faik Fazliu.

Sipas Policisë i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur një zyrtar policor të cilët ishin në asistim të Inspektoratit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, gjatë inspektimeve për respektimin e masave kundër COVID- 19.

Gjatë asaj dite, Klinaku bëri publike edhe disa pamje ku shihej Fazliu tek sa po fliste me disa zyrtarë policor në një kafene në Prizren, ndërsa pamjet tregojnë edhe një moment kur ai bie në tokë pasi zyrtarët policorë e shtyjnë atë.

Pas këtij arrestimi, Klinaku kishte thënë se sjelljet ndaj veteranëve janë skandaloze.

“Para se me ndodh rasti i arrestimit të Faik Fazliut (ish kreut të OVL UÇK dhe familjarë i tre dëshmorëve) dhe ushtrimit të dhunës ndaj tij nga ana e policëve, kanë ndodhur skandale siç është rasti i thirrjes së Fahri Fazliut (po ashtu familjarë i dy dëshmorëve) nga Gjykata Speciale, i cili gjatë kohës së luftës ishte vetëm 8 vjeçar”, ka shkruar ai në facebook më 6 qershor.

Klinaku po ashtu ka kritikuar edhe deklarimet e zyrtarëve qeveritar për luftën e UÇK-së.

“Kanë ndodhur edhe gjëra të tjera, siç është shkelja e të drejtave të njeriut ndaj të arrestuarve në Hagë e deklarimet skandaloze të ministrave ku këtë shqetësim ia kemi shprehur edhe Albin Kurtit në takim”, ka thënë ditë më parë Klinaku.

Klinaku i OVL-UÇK-së paralajmëron protestë