OVL UÇK Nderon Ata që e Nxorën UÇK-në në Publik

Në ditën kur u mbushën dy dekada të daljes për herë të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në publik, Organizata e Veteranëve të UÇK-së nderoi me pllakatë mirënjohjeje personat që dolën publikisht për të folur në emër të saj.

Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj ishin të parët që dolën publikisht për të folur në emër yë UÇK-së në varrimin e Halit Gecit, një arsimtari nga Llausha e Skenderajt, i cili ishte vrarë ditë më parë nga policia serbe gjatë një aksioni në këtë fshat.

Selimi e Haradinaj i kanë marrë sot pllakat e mirënjohjes.

Mujë Krasniqi është vrarë në fund të vitit 1998 në kufirin Kosovë- Shqipëri.

Në emër të Mujë Krasniqit dhe mësuesit Halit Geci, mirënjohjet i pranuan anëtarët e familjeve të tyre.

Duke folur për këtë ngjarje, kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, e radhiti atë në mesin e ngjarjeve të mëdha që e kanë përshkuar historinë e shqiptarëve gjatë nëntorit.

“28 nëntori ngërthen në vete një rëndësi të veçantë sepse është 28 nëntor i Skëndërbeut, Ismal Qemalit, i Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gucati.

Ndërsa Rexhep Selimi, që tash është deputet në Kuvendin e Kosovës, e vlerësoi nder mirënjohjen që e pranoi.

“Sa herë vjen 28 Nëntori nuk e shohim veten protagonistë, i shohim protagonistë ata që u sakrifikuan. Krejt çfarë bëmë atë ditë është detyra ushtarake”, tha Selimi.