OVL- UÇK kërkon rivlerësim të procesit të verifikimit të veteranëve të luftës

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me anë të një konference për media ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë shkelje ligjore me nxjerrjen dhe publikimin e listës së veteranëve përfitues në mënyrë të kundërligjshme.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati tha se prokuroria duke bërë publike listat e 20 mijë e 238 veteranëve, i ka shpallur ata të dyshuar duke mos u dhënë mundësinë që të mbrohen dhe sfidohen me prova.

“Që ka bërë shkelje ligjore e ka pranuar edhe vetë prokuroria përmes një njoftimi”, tha Gucati.

Ai shtoi se prokuroria do të duhej ti përballte veteranët me prova se janë përfitues të kundërligjshëm para se të ngritej aktakuza.

“Argumentet po i japin tani pas dërgimit të akuzës dhe kësaj liste në gjykatë”, shtoi tutje Gucati.

Kryetari i OVL- UCK kërkoi rivlerësim të këtij procesi.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të filloj rivlerësimin e të gjithë këtij procesi me anë të një komisioni i cili do të punoj të bazë të kritereve të sakta të përcaktuara me ligjin e Veteranëve të Luftës së UCK-së. Kjo gjë do të ishte më pak e kushtueshme dhe prokuroria do të lirohet në punën e saj”, shtoi Gucati.

Ai gjithashtu kërkoi që të gjithë ata veteranë të cilët janë në listat e publikuara të mos ndërmarrin asnjë masë.

Avokati i OVL- UCK, Gafurr Elshani tregoi në lidhje me takimin që ka pasur me zëvëndës prokurorin i cili po merret me listat e veteranëve mashtrues.

“Unë isha me bisedu me prokurorin special por ai ishte jashtë vendit. Bisedova me zëvendësin e tij dhe ai më ka thënë se arsyeja se gjoja pse është bërë kjo listë është konstatimi se nuk ka pasur dokumentacion të saktë të plotësuar nga ana e aplikuesve”, tha Elshani.

Të pyetur nga gazetarët, për numrin e veteranëve për të cilin prokuroria ka thënë se janë 80 mijë, kryetari Gucati e quajti prokurorinë “gënjeshtare”.

“Nuk janë 80 mijë aplikacione. Janë 60 mijë, prokuroria ia ka huq. Nuk dua të shprehem keq por ata kanë gënjyer”, tha Gucati.

Avokati Elshani tha se prokuroria ka pranuar se ka bërë lëshime duke shtuar se është e mundur që një prokuror të mund të konstatoj se janë 20 mijë veteran mashtrues.

“Prokuroria duhet të bëjë për secilin veteran nga një aktvendim. Po e përsëris është bërë shkelje ligjore”, tha Elshani.