OVL UÇK degët e Dukagjinit e quajnë të motivuar politikisht ftesën ndaj Haradinajt nga Gjykata Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, degët  e Dukagjinit, e kanë konsideruar se ftesa ndaj Ramush Haradinajt nga Gjykata Speciale, për ta intervistuar si të dyshuar, është e motivuar politikisht.

“Asnjë akuzë e bërë ndaj tij, prej gjykatave ndërkombëtare, nuk është argumentuar dhe i njëjti ka dal faqebardhë, duke dëshmuar pastertinë e Luftës Çlirimitare. Ne e çmojmë veprimin e Haradinaj për të ofruar dorëheqjen dhe konsiderojmë se është hap burrëror, i njeriut i cili na bëri të ndjehemi krenar në shtetin tonë, gjatë kësaj kohe sa udhëheqi me qeverinë”, thuhet në shkrimin e OVL të UÇK në Facebook.

Tutje në shkrim, i bëhet thirrje spektrit politik të vendit, të qëndrojnë bashkë dhe ta marrin shembullin e Haradinajt, që të jenë të vendosur e të mos bëjnë pazare në kurriz të territoreve dhe qytetarëve.

“OVL UÇK Dukagjin, do të jetë në përkrahje të pafajësisë së Gjeneralit Haradinaj dhe të gatshëm për çfarë do situate që paraqitet. Në këto momente të vështira për Kosovën, të tregojmë pjekurinë tonë dhe të vendosim interesat kombëtare mbi të gjitha të tjerat”, thuhet në fund të shkrimit.

 

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.