Vjosa Osmani (LDK) në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Osmani: Në Ditën e Europës, Serbia tregon fytyrën antieuropiane

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Serbisë për të tërhequr ftesën për pjesëmarrje në konferencën e organizuar nga kryetari i Komisionit për integrime europiane të Kuvendit të Serbisë.

“Sot në ditën e Evropës, Serbia tregon fytyrën e vërtetë anti-evropiane. Sot, edhe zyrtarisht jam njoftuar përmes një shkrese me gjuhë aspak diplomatike dhe zyrtare, për vendimin e Kuvendit të Serbisë, për të tërhequr ftesën për pjesëmarrje në Konferencën e organizuar nga Kryetari i Komisionit për Intergrime Evropiane të Kuvendit të Serbisë, z. Nenad Canak”, ka shkruar deputetja Osmani në profilin e saj në “Facebook”.

Sipas saj, shteti i Serbisë përmes këtij vendimi tregoi se sa shumë ndikohet nga shovenistët dhe kriminelët e luftës si Vojisllav Sheshel.

Vjosa Osmani ka shtuar se ishin pikërisht provokimet e këtij të fundit, të cilat sollën destabilizim të raporteve edhe me shtetin e Kroacisë javët e fundit.

“Edhe pse ka hapur shumicën e kapitujve për anëtarësim në BE, Serbia tregon se mbetet një shtet me vlera antievropiane dhe se gjithë të arriturat e saj drejt rrugës integruese i ka fituar përmes temave të Kosovës, dhe jo për shkak të meritave dhe përmbushjes së standardeve. Veprime të tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve, e aq më pak rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ajo.

Sipas deputetes Osmani në krejt këtë situatë është për t’u përshendetur vullneti i mirë i kryetarit të Komisionit, Nenad Çanak.

Për të qenë të denjë për ta kremtuar 9 Majin, Ditën e Europës, sipas Vjosa Osmanit politikanët në Serbi duhet ta ndjekin shembullin e tij.