Komisioni për buxhet dhe financa | Foto: KALLXO.com

Osmani e Pantina Shkëmbejnë Fjalë të Ashpra

Naser Osmani dhe Shqipe Pantina janë ndeshur fort, kur kjo e fundit gjatë fjalës së saj doli jashtë pikave të rendit të ditës që ishin në diskutim duke folur për keqqeverisje.

“Këtë mbledhje e kryesoj unë edhe nuk të lejoj me fol gjithçka, se na jem komision i profilizuar, kështu që nëse ki me fol diçka rreth pikave të rendit ditës urdhëro e fol, jo jo ta ndali fjalën,” reagoi tejet i nervozuar kryetari i komisionit dhe deputeti i LDK-së Naser Osmani.

“Unë kam te drejtë flasë gjithçka, kurrkush nuk ka minutazh këtu,” iu kundërpërgjigj Pantina deklaratave të Osmanit.

Ndërsa me një ton edhe më të ashpër Naser Osmani i tha Pantinës së nëse nuk ndalej së foluri për çështje që nuk lidheshin me mbledhjen do t’ia ndalte mikrofonin.

“Shko konsultohu me partinë tande e këqyre ku të kanë çu, në çfarë komisioni, e se për çka diskutohet këtu,” iu drejtua Osmani Patinës.

E replika Pantina pati edhe nga deputetët Adem Grabovci e Bardhyl Meta.

Anëtarët e komisionit e proceduan për ratifikimin në Kuvend marrëveshjen për hua ndërmjet  Bankës Gjermane për Zhvillim KfW Frankfurt am Main dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Programin “Masat e Efiçiencës së Energjisë në Ndërtesat Publike në Nivel Komunal në Kosovë.

Kjo marrëveshje ka vlerë 2.5 milionë euro dhe interes 2 për qind.

Për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje që përveç kredisë prej 2.5 milionë eurove do të përfshijë edhe një grant prej 5 milionë eurove, KALLXO.com shkroi në janar.

http://kallxo.com/7-5-milione-nga-gjermania-per-energji-eficiente-ne-komuna/

Komisioni për Buxhet dhe Financa gjithashtu e procedoi për Kuvend edhe marrëveshjen tjetër për hua në Bankën Austriake Unicredit për marrjen e 2.6 milionë eurove me 0 për qind interes për pajisjen e Qendrës Spitalore të Kardiologjisë Invazive.