Ndërtesa e Komunës së Suharekës | Foto: KALLXO.com

OShP-ja Pezullon Tenderin për Festën e Suharekës

Komuna e Suharekës edhe sivjet si viteve tjera ka hapur tender për Aktivitete Kulturore Festive në Komunë “13 Qershori Dita e Çlirimit”, por ky tender është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit pasi një kompani pjesëmarrëse në të u ankua.

KALLXO.com u interesua të kuptojë nga zyrtarët e Suharekës nëse pezullimi i tenderit do të lë pa u zhvilluar aktivitetet e parapara për festën.

Drejtori i Kulturës Nuhi Llugaxhiu tha për KALLXO.com se Dita e Çlirimit do të festohet ashtu si ishte paraparë, pasi që qytetarët e Suharekës nuk i njohin procedurat, ndërsa atë ditë duan të festojnë.

“Tenderi është pezulluar nga OShP-ja për shkak të ankesave, por Komuna e Suharekës do ta organizojë festën e 13 qershorit ashtu siç ka qenë e lajmëruar,” tha Llugaxhiu.

Drejtori nuk tregoi qartë se si do të sigurohen paratë për aktivitetet festive.

“Do të gjejmë forma të ndryshme, prej subvencioneve, donacioneve të ndryshme dhe linjave të ndryshme që të paguhen këto shpenzime që do të bëhen, por që qytetaret e Suharekës më 13 qershor do të ketë festë,” tha Llugaxhiu.

Pezullimi i tenderit ndodhi pasi Astrit Berisha, pronar i firmës “Gorenje Univerzal” bëri ankesë në OShP, ngase kompania e tij  u shpall e papërgjegjshme nga Zyra e Prokurimit në Komunën e Suharekës, sepse kjo kompani nuk e kishte pasur certifikatën e TVSh-së.

“Unë kam qenë me çmim më të ulët se fituesi që është shpallur për 1700 euro, por  zyra e prokurimit më ka shpallur të papërgjegjshëm, pasi që sipas tyre nuk e kam plotësuar një kriter, nuk kam qenë në TVSH,” tregoi Astrit Berisha për KALLXO.com.

Ai e pranoi se kompania e tij nuk e ka plotësuar kriterin që lidhej me TVSh-në.

“Ka qenë edhe një kriter që unë se ka plotësuar, për me qenë në TVSh, por sipas meje është kriter diskriminues, pasi kriterin kryesor për çmimin me të ulët e kam plotësuar dhe për këtë kam bërë ankesë në OShP,” sqaroi tha Astrit Berisha.

Edhe Bujar Kuqi, shef i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Suharekës, tha për KALLXO.com se mendon që zyra ka vepruar drejt kur ka shpallur të papërgjegjshme kompaninë e Astrit Berishës.

“Ne e kemi pezulluar për momentin procedurën, pasi që firma që është eliminuar ka bërë ankesë në OShP dhe ne presim vendimin e OShP-së, pasi që ne mendojmë që kemi vepruar drejt, pasi që se ka plotësuar kriterin e TVSh-së, edhe pse me çmimi ka qenë më i ulët,” tha Bujar Kuqi.

Kompania e Astrit Berishës çmimin e kishte 8200 euro, ndërsa pas eliminimit të saj, tenderin për festimet e fitoi kompania me ofertën prej 9900 eurove.

Komuna e Suharekës për 13 Qershorin-Ditën e Çlirimit ka planifikuar aktivitete të ndryshme kulturore e sportive, si turne në mundje, në futboll të vogël, akademi solemne, defile të veteranëve të UÇK-së, si dhe koncert dhe koktej për ta.