Foto: Ilustrim

OSHP ia Anulon një Tender Komunës së Lipjanit

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP)  ka marrë vendim që të anulojë aktivitetin e prokurimit “Mirëmbajtja dhe servisimi i automjeteve të institucioneve komunale”.

OSHP-ja po ashtu ka urdhëruar Komunën e Lipjanit që procedurën e prokurimit për mirëmbajtjen e automjeteve komunale ta kthejë në rivlerësim.

Komuna e Lipjanit më 15 shkurt 2016 kishte publikuar njoftimin për kontratë lidhur me aktivitetet e prokurimit “Mirëmbajtja dhe servisimi i automjeteve të institucioneve komunale”.

Si kriter për dhënien e kontratës ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët.

Kundër njoftimit të Komunës së Lipjanit kishte paraqitur ankesë operatori DPZ “Suzuki”, nga Fushë-Kosova, në afatin e paraparë.

OSHP-ja pas pranimit të ankesës kishte caktuar ekspertin shqyrtues, i cili e kishte shqyrtuar ankesën duke rekomanduar që të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Eksperti shqyrtues në raportin e tij thekson se operatorit ekonomik i rekomanduar për kontratë i mungojnë çmimet për disa pozicione dhe si i tillë është i papërgjegjshëm.

Me raportin e ekspertit është pajtuar operatori DPZ ”Suzuki”, ndërsa Komuna e Lipjanit është pajtuar pjesërisht.

Përfaqësuesi i Komunës së Lipjanit, Adem Duriqi, ka thënë se ne kemi menduar se i njëjti (DPZ “Suzuki”) ka hequr dorë nga ankesa dhe si të tillë e kemi shpallur fitues operatorin “Beka”.

Vendimin për anulimin e tenderit nga OSHP mund ta gjeni këtu.