Foto: OSBE

OSBE trajnon policët në çështjet e dhunës në familje

Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli një kurs pesëditor, në trajnimin e policëve, për trajtimin e dhunës në familje.

“Kursi kishte për fokus indikatorët e hershëm siç janë dëshmitë fizike dhe shenjat psikologjike të viktimave; reagimi i parë i policisë dhe asistenca për viktimat e dhunës në familje dhe abuzimit seksual; si dhe ofrimi i sigurisë për policët dhe viktimat e përfshira”, thuhet në njoftim.

Zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl ka thënë se “lufta kundër dhunës në familje është prioritet i Misionit”.

“Parandalimi është vendimtar për të siguruar ulje efektive të rasteve të dhunës në familje. Ne mbështesim Policinë e Kosovës në zgjerimin e njohurive dhe shkathtësive të zyrtarëve policorë në aspektin e parandalimit. Kjo do të mundësojë identifikim të duhur të indikatorëve të hershëm të dhunës në familje dhe reagim para se të ndodhë diçka”, citohet të këtë thënë Ëahl.

Ramadan Krasniqi, rreshter i policisë, tha se ky kurs ishte mundësi e shkëlqyer për të mësuar qasje të reja në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

“Së bashku me aktivitete të tilla trajnuese në të ardhmen, duhet të përqendrohemi edhe në ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi dhunën në familje dhe rritjen e bashkëpunimit tonë me ta për të minimizuar këtë fenomen negativ”, tha ai, njofton komunikata për media.

Pas këtij kursi, pjesëmarrësit do të bëhen trajnerë të certifikuar dhe do të zhvillojnë kurse të ngjashme trajnimi për policët e tjerë të patrullimit në stacionet e tyre policore.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.

Kursi u mbajt nga 27 deri 31 gusht në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.