Foto: OSBE

OSBE Pret Kërkesë për Organizimin e Zgjedhjeve Serbe në Kosovë

Zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë, ditëve të fundit e kanë bërë të ditur synimin kutitë e votimeve për serbët në vendbanimet e tyre në Kosovë të hapen sërish për zgjedhjet e ardhshme parlamentare serbe që pritet të mbahen në pranverë.

Tri ditë më parë ishte shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ai që e hapi këtë çështje gjatë vizitës në komunën e Ranillugut.

Ndërsa mbrëmë në Bruksel, pas takimit që u mbajt në kuadër të dialogut Kosovës- Serbi, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq u tregua edhe më këmbëngulës.

Serbia gjithmonë pas luftës ka mbajtur zgjedhje parlamentare në Kosovë, por në dy palë zgjedhjet e fundit të vitit 2012 dhe 2014, ato nuk janë organizuar e mbikëqyrur nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Serbisë.

Rolin për organizimin e tyre, në këto raste e kishte marrë Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Ky mision tha dje për KALLXO.com se do të jetë në gjendje t’i organizojë prapë këto zgjedhje nëse i kërkohet një gjë e tillë.

“Nëse vlerësohet e nevojshme nga ana e akterëve, OSBE do të ishte e gatshme t’i ofrojë shërbimet e veta për ta mundësuar procesin (e votimit) në Kosovë nën kushtet e marrëveshjes mes tyre”, tha Senad Shaboviq,

Ndërsa zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se ende është herët të flitet për këtë çështje.

“Nuk ka ende ndonjë vendim për këtë por çdo gjë do të vendoset duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi.

Por opozita në Kosovë ka kundërshtuar idenë që serbët e Kosovës të votojnë për zgjedhje të një shteti tjetër.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, tha për KALLXO.com se paralajmërimi  nga ana e zyrtarëve të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë është “shembulli i radhës, në radhën e gjatë të ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë”.

“Këto zgjedhje janë edhe një tregues që vërteton se ky dialog pa kushte dhe koncesionet e vazhdueshme që ia kemi bërë Serbisë nuk kanë kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Përkundrazi, edhe me këtë rast kuptojmë se duke vazhduar dialogun pa kushte e kemi normalizuar qëndrim agresiv e shovinist të Serbisë, kurse duke i bërë koncesione të vazhdueshme veçse ia kemi rritur asaj apetitet”, tha zëdhënësi i Vetëvendosjes.