Harlem Desir, Përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Mediave. Foto: Kallxo.com

OSBE: Për 20 Vjet, 220 Gazetarë të Vrarë

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” këtë javë transmetoi reportazhin i cili flet për sigurinë e gazetarëve në Kosovë.

Siç tregoi hulumtimi, vetëm gjatë këtij viti në Policinë e Kosovë janë raportuar 23 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Harlem Desir, Përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Mediave, nëpërmjet një vidomesazhi në “Ditën ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve” tregoi se që nga viti 1997 në regjionin e OSBE-së janë vrarë 220 gazetarë, kurse gjatë këtij viti, sipas tij, 4 gazetarë janë vrarë.

Të dhënat e Policisë tregojnë se gjatë periudhës janar-15 tetor të këtij viti janë raportuar 23 raste të ndryshme prej gazetarëve. Rastet sipas Policisë janë të ndryshme, duke përfshirë ngacmimin, ndërhyrjet në sistemet kompjuterike, lëndimet trupore, kanosjet e raste të tjera.

Nga muaji janar deri më mesin e muajit tetor të këtij viti, në Polici janë të raportuara 23 raste që përfshijnë një rast të ngacmimit, 3 raste të ndërhyrjes në sistemet kompjuterike, 5 raste të lëndimit të lehtë trupor, 13 raste të kanosjes dhe një rast i legalizimit të përmbajtjes së rreme.